TIRANË- Kryeministri Edi Rama është takuar sot me të gjithë 61 kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit. Në takim kanë qenë edhe përfaqësues të UNDP-së, e cila kontribuon për procesin e auditimit në njësitë administrative duke ofruar asstencë teknike në konsolidimin e 61 bashkive. Dhe pikërisht Kryeministri Rama ka firmosur me drejtoreshën e UNDP një marrëveshje për asistencë teknike në vlerësimin e gjendjes së njësive administrative.

Gjatë këtij takimi, Rama tha se ndarja e re territoriale nuk është një shumatore e bashkimeve mekanike të njësive gjeografike por një proces shtetndërtues.

“I uroj mirëseardhjen të gjithë kryebashkiakëve të zgjedhur më 21 qershor. Ajo çka ne kemi paralajmëruar duke e konceptuar ndarjen e re territoriale jo si një shumatore të bashkimeve mekanike të njësive gjeografike por si një proces shtet ndërtues për ti transformuar në njësi të zhvillimit ekonomik. Nuk ka qenë një fjalë goje, por një vizion që jemi të vendosur ta vemi në jetë sëbashku me ju, pa dallime partiake, por me një sens të misionit të përbashkët që tu japim qytetarëve një qeverisje të nivelit të dytë të denjë për një vend evropian”, theksoi Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohje për punën e UNDP për auditimin që do të bëhet në 61 bashkitë. Ai tha se UNDP do të japë një ndihmë për mënyrën se si duhet të mbahen librat e llogarive për të ndërtuar politika zhvillimi.

“Mirënjohjen më të thellë për UNDP që u investua në një projekt strategjik për qeverinë shqiptare dhe na lehtësoi një punë të domosdoshme. Mirënjohës që na vë në dispozicion një nga kompanitë më të mëdha të auditimit. Për ti vënë në dispozicion qytetarëve jo vetëm një dokumentacion shterues për gjendjen aktuale, por edhe një dije të re për të ardhmen se si duhet të mbahen librat e llogarive për të ndërtuar politika zhvillimi”, tha Rama.

Kryeministri tha se ky proces shumë i ngjashëm me atë të Teki Selenicës do të na japë një pasqyrë të plotë dhe të kuptojmë më mirë se çfarë humbjesh në financa dhe në asete kanë ndodhur gjithë këto vite dhe se si ne të përpiqemi ti minimizojmë humbjet.

“Jemi shumë të investuar për një reformë decentralizimi. Ne kemi bindjen se çfarë është quajtur decentralizim në vite ka qenë një thërrmim i potencialeve, jo vetëm i territorit, pro i gjithë strukturës ekonomike dhe financiare të këtij vendi. Ky audit do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm edhe për të luftuar korrupsionin në nivelin e madh në qeverisjen vendore. Në dy aspekte në aspektin e domosdoshmërisë për ndëshkim dhe aspektin e domosdoshmërisë për zhvillim”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama kërkoi dialog intensiv me kryebashkiakët për të finalizuar paketën e parë të reformës së decentralizimit.

“Të çelim një dialog intensiv për të finalizuar paketën e parë të reformës së decentralizimit, si një paketë që sot pas ndarjes së re administrative-territoriale është e nevojshme më shumë se kurrë”, tha ai.

Kryeministri kërkoi që kryebashkiakët të punojnë për reformën e ujit si dhe të shlyejnë detyrimet e papaguara të njësive administrative për energjinë elektrike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: