Jose Mourinho duhet të presë për revanshin e tij. “Special One” dhe Tottenham marrin një tjetër goditje të rëndë në këtë sezon të Premier League, pas humbjes në shtëpi 2-0 nga Chelsea. Frank Lampard i jep një leksion “mësuesit” të tij, megjithëse ndëshkuesi i Spurs ishte Willian.

Në një mbrëmje spektakolare, futbollisti brazilian shënoi të dy golat e fitores për Blutë e Londrës, duke nisur nga ai i epërsisë në minutën e 12-të. Të kota përpjekjet e të zotëve të shtëpisë që në shtesën e pjesës së parë iu desh të nxirrnin sërish topin nga rrjeta. Willian goditi saktë nga pika e penalltisë për të dyfishuar shifrat. Shanset e Tottenham për pikë u zbehën ndjeshëm në të 62-të, kur Son la fushën me karton të kuq. Me këtë humbje, Spurs humbin sërish terren në renditje, teksa fitorja forcon pozitat e Chelsea në zonën Champions.

Një të dielë të keqe kaloi edhe Manchester United. “Djajtë e Kuq” zhgënjyen parashikimet, duke u mundur 2-0 në fushën e Watford të vendit të fundit. Sfida u vendos vetëm në pjesën e dytë, me vendasit që siguruan fitoren e dytë në këtë sezon të Premier League.

Me Liverpool që festonte triumfin në Botërorin për Klube, ndjekësit e saj Liecester dhe Manchester City luajtën sfidën direkte. Triumfi ishte për skuadrën e Pep Guardiolës, që fitoi 3-1 për të ngushtuar diferencën me kryesuesit e kampionatit anglez.

Ndërkohë, ka vijuar seria negative e Arsenal, që në sfidën e tij nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në transfertën kundër Everton.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb