Ministrja e re e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka rënë sot pre e një sulmi kibernetike, pasi në një adresë në ‘Twitter’ me emrin e saj shkruhej lajm i pavërtetë se shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare kishte vdekur. Postimi i saj u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa në një prej statuseve, në gjuhën angleze, në këtë faqe thuhej se lajmi mbi vdekjen e Kadaresë konfirmohej dhe nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Elva Margariti.

Kadare
Kadare

Pas këtyre postimeve në Twitter, ka reaguar ministrja Dumoshi në profilin e saj në ‘Facebook’, ku ka thënë se ajo nuk ka asnjë llogari në Twitter.

“Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter. Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike. Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar Dumoshi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb