Parandalohet një krim i rendë në familje në Tirane, ku burri kërcënoi gruan dhe 3 fëmijët se do i vriste. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrë e Vogël, të Njësisë Administrative Petrelë. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në kuadër të operacionit “Befasia”, pas hekurave përfundoi Osman Memajn.

54-vjeçari akuzohet se në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe 3 fëmijëve. Gjatë momentit të ndërhyrjes së Policisë, 54-vjeçari u kap me pistoletë në dorë, me fishek në fole gati për qitje duke kërcënuar bashkëshorten dhe tre fëmijët për t’i vrarë.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në banesë dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (pistoletë e pushkë), një sasi fishekësh luftarak për pistoletë dhe për pushkën, tre kallëp tritoli dhe një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit O. M., për veprat penale “Dhuna në familje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
(ed.me/BalkanWeb)
