Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, foli në një lidhje me “Skype” për News24 për shfaqjet që po transmetohen online prej një muaji, për shkak të mbylljes së aktiviteteve kulturore nga koronavirusi.

Drejtori Çuli tha se transmetimi online po funksionon dhe shikueshmëria është në nivelet më të larta. Sipas tij, shfaqja “Galaksia” ka pasur një bumë të madh shikimesh, ndaj dhe do të ritransmetohet edhe këtë të diel, në orën 20:00.

Duke zbuluar shfaqet, që do të jepen këtë javë, nga e enjtja deri të dielën, Çuli theksoi se ky sezon artistic do të mbyllet online, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të zhbllokojë fondet e teatrit.

Intervista:
A po funksionon teatri online?
Teatri është art i gjallë dhe mungesa e spektatorëve është e pazëvendësueshme, aty është jeta e teatrit, por në kushtet e reja ne po adaptohemi mirë, deri kur t’i afrohemi sërish publikut.

Ju po punoni me mish e shpirt…
U bë një muaj që ne kemi shfaqje nga e enjtja deri të dielën. Pavarësisht se jemi në kushte shtëpie, ne kemi zhvilluar një kalendar, jemi në punë natë e ditë. Shfaqja “Galaksia” ishte qershia mbi tortë dhe kemi pasur një sukses që as vetë nuk e kemi pritur. Jemi në nivelet e ndjekesh nga publiku më të lartat në Evropë. Për dy orë transmetim me “Galaksia” ne patëm shikueshmëri befasuese, mbi 21 mijë njerëz kalimtarë.

Ju kanë kërkuar ta transmetoni?
Po. Vërshimi i kërkesave lumë, kërkesat pse nuk gjendet shfaqja, besoj do e realizojmë këtë fundjavë. Do ta transmetojmë edhe njëherë “Galaksinë”, të dielën në orën 20:00. Ne kemi realizuar katër shfaqje në javë, kemi një muaj, që i thonë 10 orë programacion. Duke parë njerëzit që na kanë ndjekur, jemi në nivelin më të lartë të spektatorëve. Ne kemi vendosur të vazhdojmë deri më 15 qershor, do ta mbyllim sezonin artistik online. Do ta kthejmë faqen e Teatrit Kombëtar në një medium për të gjithë teatrot dhe kjo na u shpërblye. “Galaksia” është një spektakël, që duke u shfaqur në livestrem mund të shihet në gjithë botën.

A fitoni ju nga e gjitha kjo?
Ne fitojmë fuqinë që na jep emri I të qenit aktorë të Teatrit Kombëtar. Ne marrim rorgën tonë dhe nuk mund t’ia lejonim vetes që të paguheshim nga taksapaguesit dhe të mos punonim.

Aktivitetet kulturore përjashtohen ende nga lehtësimi i masave, si i kaluat pengesat dhe si iu erdhi juve ky lajm?
Letra ime e hapur drejtuar kryeministrit nuk kishte qëllim të shqetësonte njeri. Letra nuk ishte asgjë më tepër, veçse dëshira ime për të zhbllokuar disa fonde, qoftë edhe nga sponsori, brenda institucionit, që ne të kishim mundësi për logjistikë më të mirë. Ministria e Kulturës ka hapur një program, jemi në vazhdën e diskutimeve dhe besoj se do të zgjidhet edhe për ne shumë shpejt.

Çfarë sugjerimesh konkrete keni ju?
Për të folur për një paketë post-koronavirus nuk është aq e thjeshtë. Hapi i parë është zhbllokimi i fondeve tona, ato që na përkasin. Kjo do të jepte një mundësi gjenerimi të projekteve më të bukura. Këtë sezon nuk mund të rikthehemi në skenë, por nëse kthehemi në tetor, duhet një debat i gjerë, edhe për rregulloret e reja që po bëjmë. Duhen parë gjërat hap pas hapi, duhen biseda të forta dhe të gjata me dikasteret përkatëse.

Të enjte, të premte, të shtunë çfarë do të shohim?
Këtë javë ja kemi dedikuar Pëllumb Kullës. Të enjten do të kemi një përmbledhje të krijimtarisë së tij, të premten do të kemi në intervistë vetë Pëllumb Kullën, ndërsa të shtunën do të kemi një shfaqje të historisë “Sa gjethe të thata bien”. Të dielën do të kemi intervista të aktorit në karantinë, në orën 19:00, dhe më pas “Galaksinë”.

Keni pasur shqetësime nga aktorët, se si do të shkojë fati i tyre nesër?
Unë kontaktoj me të gjithë aktorët, edhe ata në rrethe, dhe ju them se është një shqetësim, pasi të gjithë e ndjejnë se kemi një goditje, kemi pësuar një grusht shumë të fortë, por duke u mobilizuar të gjithë bashkë për të qenë të dobishëm, besoj se do t’ia dalim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb