Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vijuar replikat në distancë me kryeministrin Edi Rama për krizën e pandemisë.

Meta i thotë Ramës se nuk ka plan dhe as strategji por vetëm propagandë. Ai kërkon nga autoritetet ë mos fshehin të dhënat nga COVID-19 dhe të lihen mënjanë justifikimet e batutat.

Po ashtu Presidenti i thotë me ironi Ramës se si nuk u lodh 8 vite duke vjedhur me koncesione e PPP. Replikat mes kryeministrit e presidentit filluan pasi ky i fundit kërkoi nga qeveria dhe autoritetet disa masa ndaj COVID-19 për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, por Rama iu kthye ashpër se ai bashkë me Bashën e Kryemadhin i kanë varur shpresat tek katastrofa shëndetësore.

STATUSI NGA ILIR META
Nuk ke plan! Nuk ke strategji! Ke vetëm propagandë!
Çdo ditë po humbin jetën qytetarë!
Çdo ditë numri i të infektuarve po shtohet frikshëm!
Ku e ke shëndetësinë falas?
Pse nuk ju rimburson çdo qindarkë që paguajnë për ilaçe pacientët që mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19?
Pse nuk i shton testimet?
Pse nuk e shton buxhetin për sistemin shëndetësor?
Ti për vete nuk paguan asnjë kacidhe për ilaçe, ndërsa çdo shqiptari sot me arrogancë i thua: “Mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty! As ilaçet nuk ja u paguaj!”
Mos i fshihni të dhënat për COVID-19 për të mbuluar paaftësinë tuaj në menaxhimin e kësaj situate, prag kolapsi!
Mjaft me justifikime dhe batuta bajate!
Si nuk u lodhe 8 vite duke vjedhur papushim me koncesione dhe PPP? Askush në botë nuk e shfrytezon pandeminë për të vjedhur si ti dhe Parlamenti yt monist që bën ligje për oligarkët në kulmin e kësaj fatkeqësie!
Askush nuk mund të prishte Teatrin Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kulla për oligarkët!
MOS I FSHIHNI TË DHËNAT PËR COVID-19!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb