“Napoleon Bonopartin thotë ‘ëndrra e çdo ushtaraku është që një ditë të jetë gjeneral’. Puna me pasion të çon gjithmonë drejt suksesit”, thotë në intervistën dhënë gazetares së News 24 Aurora Golemit, Gjeneral Majorja e sapo graduar Manushaqe Shehu.

Në jetë dhe në punë, gjeneralja e parë me dy yje e ushtrisë shqiptare mbetet e udhëhequr nga fjalët e Napoleon Bonopartit. Manushaqe Shehu nuk mund të jetë me tepër krenare sesa sot, është dita e parë e punës me gradën Gjeneral Major. “Të jesh grua në uniformë, është privilegj është nder dhe sakrificë, Do të ndalem tek pesha e dy yjeve është përgjegjësi shumë e madhe, përkushtim por ajo që përbën diferencën, jam këtu falë eksperiencës edukimit dhe mbështetjes së madhe që më kanë dhënë vartësit dhe eprorët e mi”, -shprehet Gjeneral Majore Manushaqe Shehu.

E para grua historinë 109 vjeçare të ushtrisë shqiptare mban mbi supe spaleta të “rënda”. Zv. Shefe të Shtabit të Përgjithshëm, gradën madhore ja dedikon pikërisht FA, por sidomos forcës së saj të pasionit! “Ja dedikoj gjithë FA që në momentin e parë që jam futur si studente në 1984 dhe deri më sot që kam bashkëpunuar me burra dhe gra me djem dhe vajza që janë të përkushtuar dhe kokë ulur aq të fortë në realizimin e detyrave”, -tha Gjeneral Majore Manushaqe Shehu.

Karriera e saj në Forcat e Armatosura ka nisur para tre dekadash. Sot ka hapur një epokë ka shkrirë kufijtë dhe ka bërë çdo vajzë dhe grua me uniformë të ëndërrojë majën e karrierës, thotë se gjithçka mund të arrihet me pune dhe pasion . Dëshira e saj është që katër gra kolonele nën uniformë të ndjekin hapin e saj. “Uroj me shpirt ne kemi katër kolonele, që të ketë sa më shumë gra me grada të larta. Unë propozimin e parë për tu graduar gjeneralë e kam marrë nga një femër, ish ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, ndërsa propozimin e dytë e ka bërë zonja Xhacka kur ishte në postin e ministres së mbrojtjes, kam qene dhe do jem gjithmonë promotorë e vajzave dhe grave në Forcat e Armatosura Shqiptare”, -shprehet gjeneralja.

Nëne e dy fëmijëve, Gjenerale Shehu thotë se mbështetja e familjes së saj ka qenë thelbësore për suksesin e deritanishëm në karrierë. “Gjërat nuk i bën dot vetëm po nuk pate mbështetjen e familjes. Më thanë përgatitu mirë, është përgjegjësi shumë e madhe, kështu me tha i djalit im pasi mori vesh që u gradova”, theksoi Gjenerale Shehu.

Hapin nuk do ta ndali deri tek grada tjetër e radhës, edhe pse modeste në përgjigje thotë se grada Gjeneral Lejtnant është më e vështira për tu arritur nga një ushtarak karriere. “Sinqerisht është herët për të folur, janë shumë kritere, është edhe mosha”, pohoi ajo. Gjeneral Majore Manushaqe Shehu ka qene pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s dhe po ashtu aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake dhe civile të Forcave të Armatosura në Shqipëri dhe në rajon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb