Në letër vetëm Teuta ishte e favorizuar nga katër ekipet pjesëmarrëse në Conference League, në fund me shumë vuajtje dhe me një përmbysje të madhe, bregdetarët arritën të kalonin në turin e tretë. Këtë të enjte është radha e Partizanit, Vllaznisë dhe Laçit të synojnë kualifikimin historik, situata është shumë më ndryshe për të kuqtë e Ilir Dajës, vetëm një mrekulli shumë e madhe futbollistike mund të bëjë që kryeqytetasit të ëndërrojnë kualifikimin pas humbjes 3-0 të pësuar në Bazal. Përballë rivalëve të tillë dhe në turne ndërkombëtare, mrekulli të tilla ndodhin shumë radhë por trajnerin Ilir Daja shpreson vetëm që ekipi i tij të dhurojë një paraqitje pozitive pa humbur balancat në fushë:

“Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, ata kanë një ekip shumë cilësor edhe me traditë që nga viti 2000, ku marrin pjesë në kompeticione europiane dhe kanë marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë, kanë bërë një hap të madh. Ne do të futemi në fushë jo të dorëzuar, por që të paktën të bëjmë më të mirën e mundshme përballë tifozëve tanë. Shpresoj që nesër të jenë sa më shumë të pranishëm në stadium që ta ndjejmë suportin e tyre, që na ka munguar prej më shumë se një viti. Ne jemi një ekip që jemi ndërtuar këtë merkato, sepse patëm shumë largime. Ne duhet të kemi parasysh se nëse do t’i lëmë shumë hapësira Bazelit, do të na ndëshkojnë, pasi janë një ekip me shumë kualitet. Ne e dimë që nuk kemi çfarë humbasim, por dhe hapësira nuk duhet të lëmë shumë. Ne do të futemi në fushë të ndërtojmë lojën tonë, që të jemi grup në të dy fazat e lojës. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë që të paktën këtu të bëjmë një paraqitje sa më e mirë të jetë e mundur”, u shpreh trajneri i Partizanit.

Në Shkodër i gjithë qyteti është gati për një tjetër mbrëmje të madhe, sërish kërkojnë një përmbysje historike për të vijuar më tej në turin e tretë në Conference League. As për kuqeblutë nuk është një mision i letë, AEL Limassol vjen me një gol avantazh dhe me shumë eksperiencë kur bëhet fjala për ndeshje të tilla por trajneri Brdaric beson se me tifozët në krah Vllaznia mund të fitojë përballë qipriotëve:

“Është sfidë shumë e bukur për ne. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë fazë. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej. E kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, jam i bindur se më tifozë në krahë sot fitojmë ne”, u shpreh Brdaric

Atmosfera është pozitive edhe në radhët e Laçit, fitorja 1-0 në sfidën e parë i jep më shumë besim bardhezinjve por në Rumani e kanë kthyer në çështje kualifikimin për më tej. Trajneri i ri i Universita Craiova shprehet se eliminimi përballë Laçit do të ishte një dramë që duhet shmangur me çdo kusht.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb