Pamjet e rënda që shihni vijnë nga vendi i ngjarjes në Maliq, ku një makinë sapo e furnizuar me gaz, shpërtheu në flakë. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, në aksin nacional Korçë Pogradec, në afërsi të Maliqit.

Gazetarja Lorena Kodra ka siguruar për ‘BalkanWeb’ pamjet e sigurisë së karburantit, ku është regjistruar e gjithë ngjarja, që përfundoi në lëndimin e dy personave që ndodheshin në mjetin me targa “AA731CL”. Siç shihet edhe në pamje, pas një shpërthimi të fuqishëm, makina ka shpërthyer në flakë, që del fuqishëm edhe nga bagazhi, ndërkohë shihet se shoferi dhe pasagjeri dalin me shpejtësi nga mjeti, duke hapur dyert. Duke qenë se makina ishte e përfshirë nga flakët dhe se ka qenë e ndezur, ka ecur përgjatë rrugës, duke përfunduar në kanal.

Fatmirësisht në kohën kur mjeti humb kontrollin dhe ecën përmes rrugës, nuk ka pasur makina të tjera që t’i vinin përballë. Ngjarja ka shkaktuar edhe panik në pikën e furnizimit me karburant, ndërkohë që dy persona që ndodhen në një mjet të parkuar aty, tentojnë të largohen me shpejtësi. Fill pas ngjarjes, dy të plagosurit, që kanë marrë djegie në trup, janë transportuar në spital, ku kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe më pas kanë ikur në banesat e tyre. Deri më tani nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja në fjalë, se si shpërtheu bombola e gazit që ndodhej në bagazhin e mjetit.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb