Kryebashkiaku Erion Veliaj tha gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste se partia duhet hapur për të rinjtë. Ai theksoi se të rinjtë duhet të jenë më aktiv në politikë dhe jetën sociale, pasi në këtë mënyrë do të jenë më të fortë.

“Nuk ka urrejtje organike të qeverisë ndaj pushtetit vendor. Edhe për faktin që jemi socialist ne sillemi më mirë me kundërshtarët. Tirana është këtë vit kryeqyteti Europian i rinisë. Si ka mundësi që shumë të rinj, nga shqiptaria, ia dalin me sukses kudo, por ende jo këtu. Ca nga disa brava i kemi edhe ne. Sot kishim një takim të bukur me të rinjtë që merren me inovacion, këta jetojnë mes nesh.

Shumë prej organizatave tona themi nuk ka të rinj, por s’i s’ka të rinj ku mosha mestarë e qytetit është 28 vjeç. Një nga sfidat që ne kemi është të hapemi te të rinjtë. Kur kam themeluar mjaftin para 20 vitesh, kuptoj se sa shpejt ikën koha. Këtë pajë të madhe duhet ta lëmë në duar të sigurta, duhet të hapim strukturat tona. Edhe ne kështu do të bëhemi më të rinj dhe të fortë”, tha Veliaj.

Pjesë nga fjala e Veliajt:

Dua ta nis me një falenderim të jashtëzakonshëm për të gjithë kolegët e mi, gjithë bashkëluftëtarët në Rrogozhinë e në Vorë: Në zgjedhjet e 6 Marsit ne patëm një rezultat spektakolar, 60% dhe 70%, respektivisht në dy zona të vështira, dy zona që më parë nuk i kishim e ku donim të tregonim që me punë e me kontakt konstant derë më derë, duke qenë të përulur me atë që kanë nevojë komunitetet mund të kthenim disa nga zonat të cilat më parë kanë qenë tabu, fjala vjen në Vorë, 20 vjet ne nuk kishim administrimin me votë konkurrente në bashki, ia dolëm, kështu që ju falenderoj të gjithëve me zemër! U jam mirënjohës për këtë kontribut të jashtëzakonshëm! Besoj që në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme mesazhi që na erdhi nga Vora e Rrogozhina duhet të kumbojë fort në veshin e secilit prej nesh. Në një vokacion tjetër si kryetar i Bashkisë së Tiranës gjykoj se ka ardhur koha t’i kërkoj Kongresit të Partisë që duhet patjetër një Kongres për autoritetet vendore. Tirana është rritur vitin që kaloi me 32 mijë banorë, pra metaforikisht me një Pogradec, një Sarandë dhe një Kukës. Po 32 mijë banorë janë dhe 10 mijë apartamente në Tiranë që do të thotë se kur plas ajo historia për ndërtimet këta banorë ku do jetojnë, se ne e kishim një skemë ku nuk bëhej planifikim në Tiranë dhe të gjithë ndërtonin pa leje. 32 mijë banorë janë gjithashtu dhe 10 mijë makina. Po këto 10 mijë makina ku do kalojnë dhe unë gjykoj se ka ardhur koha që para zgjedhjeve të tjera vendore ne të kemi një reflektim të madh. Ne kemi parë në qytetet ku autoritetet vendore kanë pasur fokus në urbanizim si Korca, qartazi kjo hemoragji drejt Tiranës ka qenë më e amortizuar, ndërkohë që nga disa zona të tjera ne kemi një transferim të shfrenuar. Nëse do vazhdojmë kështu ne do jetojmë të gjithë në të njëjtin qytet. Kjo është e paqësndrueshme, sidomos për zonat periferike të vendit. Sot njerëzit kanë të drejtë të lëvizin por duhet të shikojmë një mënyrë që njerëzit të mund të krijojnë një jetë dinjitoze në qytetet e tyre pa pasur gysmën e popullsisë, nëse vazhdon ky trend, brenda gjeneratës tonë vetëm në një qytet që është Tirana.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: