Jemi mësuar ta shikojmë çdo ditë në ekran, teksa mirëpret të ftuarit në “Pasdite në Top Channel”. Flasim për Jonida Shehun, moderatoren simpatike, e cila është shndërruar në një ndër imazhet më të dashura për publikun. Veçmas lajmeve që na vijnë nga jeta e saj profesionale, një lajm shumë i mirë na vjen nga jeta private. Bëhet me dije se prezantuesja është në “dolce attesa”. Kështu, Jonida është në muajt e parë të shtatzënisë, teksa po pret fëmijën e saj të parë.

Natyrisht që paralelisht me shtatzëninë, ajo po vijon angazhimin e përditshëm me “Pasdite në Top Channel”, duke qenë se është në muajt e parë dhe ende nuk i duket barku i rrumbullakosur. Megjithatë, brunia e emisionit të pasdites ka vendosur ta mbajë sekret këtë lajm kaq të gëzueshëm muajt e parë të shtatzënisë.

Për Jonidën dhe partnerin e saj ky është fëmija i parë. Duke njohur natyrën profesionale të moderatores, pas lindjes së fëmijës, nuk do të vonojë shumë t’i rikthehet ekranit, për një tjetër sezon të suksesshëm të pasdites. Jonida Shehu prej disa vitesh është duke jetuar një histori të bukur dashurie. Moderatorja ndan me fansat e saj fotot nga jeta e përditshme me djaloshin që i ka rrëmbyer zemrën.

Çifti prej disa kohësh kanë nisur bashkëjetesën dhe nuk e fshehin më këtë histori. Madje dy të rinjtë frekuentojnë bashkë edhe eventet zyrtare apo festat familjare, duke formalizuar kështu lidhjen e tyre disavjeçare. Ndërkohë, nuk dihet nëse, tani që në planet e tyre është edhe një fëmijë, do ta shikojmë Jonidën edhe nuse, me një fustan të bardhë. E deri atëherë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë moderatores së mirënjohur një shtatzëni të mbarë!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: