Shtetasi britanik Imran Ahmed, një nga pesë figurat evropiane që mbështesin rregullime më të rrepta të sektorit të teknologjisë dhe të cilëve u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, ka ngritur një padi kundër administratës së presidentit Donald Trump. Sipas padisë së paraqitur në një gjykatë në Nju Jork, Ahmed pohon se përballet me rrezikun e “arrestimit jokushtetues, paraburgimit ndëshkues dhe deportimit” nga vendi i tij i origjinës.

Dokumenti ligjor thekson se “qeveria federale e ka bërë të qartë se Ahmedi është subjekt i sanksioneve” për shkak të punës së organizatës joqeveritare që ai ka themeluar dhe drejton, Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (Center for Countering Digital Hate).

Kjo organizatë monitoron politikat e platformave kryesore të mediave sociale dhe ka kritikuar vazhdimisht praktikat e platformës X, e njohur më parë si Twitter, e cila është në pronësi të miliarderit Elon Musk.

Të martën, përveç Imran Ahmed, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione edhe ndaj tre përfaqësuesve të tjerë të organizatave që luftojnë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes në internet: Clare Melford, drejtuese e Indeksit Global të Dezinformimit me seli në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon nga organizata gjermane HateAid. Në listën e të sanksionuarve përfshihet gjithashtu edhe ish-Komisioneri Evropian për Çështjet Dixhitale, francezi Thierry Breton.

Autoritetet amerikane nuk kanë komentuar ende publikisht mbi padinë apo mbi arsyetimin ligjor të sanksioneve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: