Anis Mehmeti është një nga risitë e trajnerit Silvinjo për grumbullimin e ndeshjeve play-off të Botërorit 2026, duke u kthyer pas 3 vitesh përsëri pjesë e grupit kuqezi. Futbollisti ka shkëlqyer në këtë edicion të ndarë mes Bristolit dhe Ipsuiç, duke e bërë të pashmangshëm grumbullimin e tij nga trajneri brazilian i cili e kishte injoruar vazhdimisht më parë.
Tashmë Mehmeti vjen edhe si futbollisti i cili ka qenë më rregullisht në fushën e lojës në klubin përkatës në këtë edicion. Rezulton se futbollisti me tipare ofensive, ka luajtur në të 39 ndeshjet e këtij kampionati në kategorinë e dytë angleze, duke mos munguar në asnjë prej javëve të luajtur deri tani. Këtyre shifrave, u shtohen edhe dy ndeshje në Kupën e Ligës me fanellën e Ipsuiç, duke bërë që Mehmeti të ketë luajtur 41 ndeshje në sezonin aktual futbollistik.
Vetëm një futbollist në grupin aktual të Kombëtares ka luajtur më shumë se Mehmeti në këtë sezon, kapiteni Berat Gjimshiti, i cili ka regjistruar 43 ndeshje të luajtura deri tani. Aty përfshihen edhe 10 që ai ka luajtur në Ligën e Kampioneve dhe 4 në kualifikueset e Botërorit me fanellën kuqezi.
