Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në fjalën e saj në Kuvend theksoi se në seancë ka kërkuar ministren e Arsimit, pas shqetësimit të ngritur se 11,172 punonjës të arsimit, u janë vjedhur paratë.
Gjatë fjalës së saj, Xhixho kërkoi që t’u kthehen paratë, pasi siç thotë ajo u janë marrë 20-60 mijë lekë të vjetra në muaj.
Kam kërkuar këtë seancë me Ministren e Arsimit për një shqetësim real të 11,172 punonjësve mësimorë.
Vendimi i qeverisë nr. 425, datë 26 qershor 2024, u ka hequr padrejtësisht mësuesve nga 20 deri në 60 mijë lekë të vjetra në muaj, duke ua mbajtur nga paga e plotë jo për një muaj, por për një vit e gjysmë. Pra, kjo qeveri jo vetëm që nuk i rriti pagat, por në fakt u ka marrë mësuesve padrejtësisht, në mënyrë flagrante, deri në 1 milion lekë të vjetra.
Dhe jo vetëm që nuk ka asnjë ndjesë për këtë gabim skandaloz, të qëllimshëm, pasi për muaj të tërë nuk i dëgjoi mësuesit, por edhe projektligji që synonte të korrigjonte këtë padrejtësi u paraqit gjysmak. Ai krijon një tjetër diskriminim në karrierën e mësuesve dhe nuk përfshin amendamentin që propozova, i cili parashikonte mbulimin e efekteve financiare edhe për një vit e gjysmë të pashlyer.
Sot, mësuesit përballen edhe me një krizë të rëndë ekonomike. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 50%: domatja ka arritur në 5 mijë lekë të vjetra, ndërsa edhe mielli dhe vaji kanë pësuar rritje.
Po ashtu, është rritur edhe çmimi i naftës, që ka arritur në rreth 220 lekë për litër, duke rënduar më tej buxhetin e familjeve të mësuesve. Nuk duhet harruar se rreth 60% e këtij çmimi përbëhet nga taksat e qeverisë.
Po flasim për gjërat bazike të mbijetesës së mësuesve, të cilët duhet të japin mësim në këto kushte.
Ndaj, pyetja është: a keni ndërmend t’u ktheni mësuesve paratë që u janë mbajtur padrejtësisht për një vit e gjysmë?
Sot ju kërkoj të sillni me urgjencë në Parlament amendimin e ligjit, në mënyrë që efektet financiare të zbatohen që nga momenti kur këto para u janë mbajtur me vendim qeverie.
T’u ktheni 1 milion lekë çdo mësuesi. E kuptoj që standardi juaj është 33 mijë euro vera dhe 4.2 milion euro “Kopshti Eden” për qejfin e Kryeministrit, por mësuesit duan paratë që u janë marrë padrejtësisht.
E nderuar ministre,
Unë e di shumë mirë që çdo vendim në këtë vend merret nga Edi Rama dhe ju thjesht zbatoni urdhrat e tij. Prandaj dilni përpara mësuesve dhe, kur u merrni padrejtësisht paratë, nuk ua ktheni mbrapsht. Kjo tregon qartë se keni zero ndjeshmëri ndaj njerëzve të punës dhe zero ndjeshmëri ndaj krizës së thellë që po përjetojnë sot mësuesit në këtë vend.
Por mësuesit sot përballen edhe me një problem tjetër madhor, të shkaktuar nga kjo qeveri.
Pas 15 vitesh në sistem, duke edukuar fëmijët tanë, sot qeveria u thotë se të gjithë mësuesit e diplomuar para vitit 2011 duhet të pajisen me licencë. Pra, u zhvlerësohen diplomat mijëra mësuesve, u mohohet përvoja 15-vjeçare dhe njëkohësisht u rriten kostot. Vetëm regjistrimi kushton 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa pajisja me licencë edhe 200 mijë lekë të tjera. Ndërkohë, u kërkohet edhe master, me qëllim mbushjen e universiteteve që po zbrazen për shkak të shpopullimit.
Atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë: nëse sot po kërkoni këto kualifikime dhe testime shtesë, pse i keni mbajtur këta mësues në sistem për kaq vite? Nëse, sipas jush, nuk janë të aftë, atëherë a nuk jeni ju në shkelje të ligjit që i keni mbajtur? Këta mësues kanë edukuar disa breza nxënësish dhe krejt papritur e gjejnë veten të palicencuar.
E vërteta është se, në vend që të gjeni zgjidhje dhe t’ua lehtësoni jetën mësuesve, krijoni artificë pas artificë për t’ua vështirësuar atë. Në vend që të rrisni realisht pagat – pasi mësuesit shqiptarë janë ndër më të keqpaguarit në rajon, sipas OECD – ju u shtoni pagesa të tjera mbi supe.
Sepse, nëse nuk do të ishte qëllimi për të marrë sërish para nga xhepat e tyre, të paktën këtë licencim do ta bënit me kosto zero. Por jo, ju zgjidhni t’ua merrni paratë mësuesve të keqpaguar, që punojnë në kushte të vështira, me dy turne, që udhëtojnë kilometra për të dhënë mësim dhe që përballen çdo ditë me burokraci të pafundme. Dhe tani doni t’i tarifoni edhe për këtë pseudo-reformë.
Zonja ministre, dega e mësuesisë sot numëron me gishtat e dorës studentët. Jemi në një krizë kombëtare për mësues, sepse të rinjtë nuk e shohin më këtë profesion si një mundësi. Rrezikojmë të mbetemi pa mësues të matematikës, fizikës, kimisë dhe lëndëve të tjera bazë.
Dhe ju, në vend që të merrni masa për ta zgjidhur këtë krizë, po ua nxini jetën edhe atyre pak mësuesve që kanë mbetur në sistem. Sepse arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet për ju.
Shqipëria ka nevojë për njerëz të ditur dhe jo për analfabetë funksionalë me diploma. Kjo është emergjenca kombëtare që kemi sot.
