Pyetja që dua ta parashtroj  që në krye të herës për të gjithë mirditorët dhe jo vetëm, është ekzistenciale për ne:  A do ta lemë Mirditën të bjerë në “gjendje të lirë”, apo do të gjejmë guximin ta rivitalizojmë? Shifrat janë të pamëshirshme. Nga 61.320 banorë që kishte Mirdita në vitin 1990, sot sipas Censusit të fundit, kanë mbetur vetëm rreth 13.600. Një humbje prej më shumë se 78 për qind të popullsisë brenda një brezi të vetëm. Nëse kjo nuk është një emergjencë, atëherë kush mund të më thotë se çfarë është?
Unë besoj se reforma administrative territoriale, e cila po projektohet, mund të jetë një mjet i fuqishëm për të ndalur këtë hemoragji demografike por vetëm nëse bazohet në parime të shëndosha dhe jo në marrëveshje okulte tavolinash.Ndërkohë ka gjasa dhe zëra që kjo reformë të jetë zhdukja nga harta e Mirditës. Le të kujtojmë se fjalët kyç që i refetrohen reformës territoriale në Kushtetutë dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore janë: decentralizim i pushtetit, autonomia vendore dhe respektim i kritereve të zhvillimit ekonomik, lidhjeve historike dhe mendimit të popullsisë. Këto nuk janë fraza boshe; janë themelet mbi të cilat duhet të ngrihet çdo ndarje e re territoriale.
Në fund të fundit Qeverisja vendore, në thelb është nevoja e komunitetit për t’u organizuar në mënyrë të atillë që të administrojnë së bashku disa çështje me interes të përbashkët dhe për të mundësuar marrjen e shërbimeve në mënyrë sa më efektive nga qeverisja qëndrore. Ndërtimi i njësive vendore i nënshtrohet disa parimeve dhe kritereve që kanë të bëjnë me demografinë dhe dinamikat e saj, kohezionin  gjeografik, social dhe historik.Secila nga këto parime ka peshën e vet dhe  janë të nevojshme për të ndërtuar një bashkëjetese të shëndoshë komunitare.
Rënia drastike e numrit të popullsisë e imponon ekzistencën e njësisë vendore me një zgjerim territorial  drejt të ashtuquajturës  “Mirdita historike”. Dhe kjo, nuk është  nostalgji, ndonëse edhe si e tillë do ishte mirë por është nevoja për të rritur kohezionin social, si një faktor zhvillimi. Ajo përfshin shumë zona që janë shkëputur artificialisht gjatë ndarjeve të periudhës komuniste dhe që vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e kohezionit. Ashtu si Shqipëria kufizohet vetëm me shqiptarë, fatkeqësisht edhe Mirdita është e vetmja bashki që kufizohet vetëm me mirditorë. Prandaj, unë propozoj që të shqyrtohet seriozisht bashkëngjitja e territoreve të tilla si Ulëza, Krejë Lura, Gjazuj, Kashnjeti, Ungrej, Fregen, Pllana, Gjegjani etj., me Mirditën.
Ekzistenca e kohezionit social, të këtyre zonave me Mirditën, e bën të domosdoshme këtë ribashkim. Lidhjet e gjakut, martesat, dialekti, zakonet, gjithçka i lidh  këto zona me Mirditën. Besimi katolik në masën 100 përqind i kësaj treve dhe i territoreve të propozuara për zgjerim, është një rast  unikal në të gjithë Shqipërinë dhe përbën  themelin e kohezionit social. Por në se historia e përbashkët, gjeografia dhe territori, janë kushte dhe kritere të rëndësishme; kohezioni social është parakusht për vetëqeverisjen e një njësie vendore. Nga ana tjetër të gjitha këto zona ndajnë të njëjtin territor me Mirditën. Distanca nga Qendra kryesore urbane Rrësheni, është më e vogël se distancat që ato kanë aktualisht me qendrat aktuale urbane. Ndërkohë përshkueshmëria e rrjetit rrugor, është në një nivel të mirë dhe e lehtëson marrjen e shërbimeve në qendrën kryesore urbane. Disa prej tyre si Gjazuj dhe Kashnjeti përmenden në dokumentet më të hershme si vendbanime të fiseve mirditore.
Në pikëpamje të kohezionit gjeografik, këto zona ndodhen pothuajse  brenda së njëjtës luginë hidrografike,  të lumenjëve të  Fanit  dhe janë  të lidhura me   akset rrugore që dalin natyrshëm në Rubik e Rrëshen. Në këndvështrimin  e kohezionit historik; këto territore kanë qenë pjesë e së njëjtës krahinë autonome për shekuj dhe janë vetëqeverisur edhe kur Shqipëria nuk kishte shtet. Organizimi administrativ dhe territorial i Mirditës është provuar për më shumë se 500 vjet dhe ka rezultuar efektive për kohën.Ndarja e saj ka qenë  një akt politik, jo një domosdoshmëri funksionale. Kur gjykojmë për Mirditën duhet të kemi parasysh se ajo nuk është thjesht një njësi administrative.Ajo përbën një unitet kulturor dhe historik, unikal në të gjithë historinë e Shipërisë, ajo është një monument që duhet ruajtur dhe mbrojtur me çdo kusht. Vetëm mendimi për ta tjetërsuar atë, do ishte një akt kriminal kundër historisë dhe kulturës së Shqipërisë.
Edhe pse jam i sigurtë se bashkimi i disa njësive administrative si më sipër,  mund të mos i sjell ndonjë përfitim financiar bashkisë Mirditë për shkak të gjendjes ekonomike që ato ndodhen, jam po aq i sigurtë se përfitimi kryesor do të jetë sigurimi i kohezionit social të banorëve të këtyre zonave.
Riorganizimi i mëtejshëm i Mirditës, duhet të konsiderojë zhvillimet teknollogjike dhe në respekt të parimit të subsidiaritetit mendoj se duhet reduktuar edhe numri i njësive administrative dhe Mirdita mund të ketë jo më shumë se tre njësi të tilla.
Pjesa e dytë e propozimit tim lidhet me riorganizimin e pushtetit vendor.Aktualisht qeverisja vendore e Shqipërisë është e organizuar në dy nivele Bashki/Qark. Edhe pse për një kohë të gjatë kam punuar në administratën publike qëndrore, akoma nuk e kam kuptuar rolin e qarkut në qeverisjen vendore. Qarku si njësi e qeverisjes vendore është subjekt kushtetues dhe është përcaktuar si “njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore”.
Kuadri ligjor, por edhe performanca e këtyre strukturave flasin për një veprimtari tejet të zbehtë dhe inefiçiente të strukturës së qarkut. Funksionet dhe përgjegjësitë e qarkut janë evazive dhe nuk nxitin përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien. Kam lexuar disa nga  raportet e performancës së qarqeve, Ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe më rezulton se veprimtaria e tyre është e zbehtë, pothuajse inekzistente,  e cila më sjell në konkluzion se Qarku është një organ rudimentar, një kopje e shëmtuar e huazuar në mënyrë shabllone nga legjislacioni i huaj. Veprimtaria e tyre aktuale është reduktuar në angazhimin e zbatimit të ndonjë projekti të financuar nga donatorët dhe nuk evidentohet ndonjë veprimtari konkrete në zbatim të funksionit tyre kushtetues.
Në ligjin për vetëqeverisjen vendore burimet e financimit të veprimtarisë qarkut, përveç transfertave qeveritare dhe kontributeve të bashkive, janë edhe taksat vendore. Në asnjë nga ligjet, si për Financat e qeverisjes vendore ashtu edhe për taksat vendore, qarku nuk ka ndonjë taksë të dedikuar, duke mbetur tërësisht në varësi të bashkive dhe transfertave qeveritare dhe duke u shëndrruar kështu  në një kosto suplementare për këto të fundit.
Nga përvoja e vendeve të rajonit (Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mali i Zi, Slloveni etj.) rezulton se qeverisja vendore, për shkak të numrit të vogël të popullsisë është e ndërtuar vetëm me një nivel; bashki/qeverisje qendrore; përjashtuar Serbinë, e cila ka një të ashtuquajtur strukturë ndërmjetëse (okrug), e cila realisht nuk ka asnjë funksion, ose diçka më keq se qarku në vendin tonë.
Unë besoj se Shqipëria ka nevojë për një sistem me një nivel të vetëm qeverisjeje , bashki të fuqishme që komunikojnë drejtpërdrejt me Qeverinë Qendrore. Por përkundër kësaj ideje kam dëgjuar të artikulohet edhe ideja e rajoneve, duke synuar nivelin e dytë të qeverisjes vendore në 4-6 rajone. Në këndvështrimin tim, kjo është një ide akoma më e keqe se e qarqeve, tërësisht shabllone dhe e huazuar nga përvoja që nuk kanë asnjë ngjashmëri me vendin tonë dhe  me funksionet reale të qeverisjes vendore. Funksionin  e koordinimit të politikave rajonale  midis bashkive dhe qeverisjes qëndrore apo  midis vetë bashkive, mund ta kryejnë prefekturat dhe shoqatat e bashkive të cilat duhet të mbështeten dhe  fuqizohen.
Suprimimi i qarqeve është një ushtrim i vështirë, për faktin se ato janë subjekte   kushtetutuese dhe kërkohet ndërhyrja në ligjin themeltar. Gjithësesi kjo mendoj se nuk duhet të stepë përpjekjet tona për struktura efektive të qeverisjes vendore.
Reforma territoriale është e lidhur edhe me forcimin e kapacieteteve menaxheriale të njësive të qeverisjes vendore. Në këtë kuadër propozimi i tretë lidhet me decentralizimin e shërbimeve, veçanërisht ato arsimore dhe mjekësore. Sot, shkollat dhe spitalet rajonale, menaxhohen nga qeveria qëndrore, por problemet e tyre janë lokale; një çati që rrjedh, një mjek që mungon, një autobus që nuk vjen etj. Unë propozoj një rindarje të mëtejshme të funksioneve midis qeverisë qëndrore dhe asaj lokale: funksioni metodologjik/teknik (kurrikulat, standardet) t’i mbeten Qeverisë Qendrore, ndërsa funksioni i administrimit dhe mbikëqyrjes (mirëmbajtja, personeli, fondet operative) t’i kalojnë Bashkisë.Kjo do të fuqizonte rolin e bashkisë por jam i sigurtë se do të përmirësonte dukshëm edhe këto shërbime.
Dhe nuk mund të flasim për kapacitete menaxheriale  pa folur për burimet financiare. Këtu është edhe propozimi im i fundit që lidhet me thellimin e decentralizimin fiskal. Nëse duam që Mirdita të zhvillohet, asaj i duhen të ardhura të veta, të parashikueshme dhe të qëndrueshme. Unë propozoj që Qeveria qëndrore  të ndajë me bashkitë disa taksa që sot janë tërësisht kombëtare.
Së pari, tatimi mbi të ardhurat personale: një përqindje e tij, le të themi 10 për qind, duhet t’i mbetet bashkisë, aty ku individi punon dhe jeton. Kjo krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes ekonomike vendore dhe buxhetit të bashkisë.
Së dyti, taksa e qarkullimit për karburantet: një pjesë e saj duhet t’u kthehet bashkive  në proporcion me akset  rrugore që ndodhen në territorin e tyre, për të financuar mirëmbajtjen e rrugëve dhe për të kompensuar ndotjen.
Së treti, taksa e karbonit dhe taksat e tjera mjedisore, lidhen me ndikimin lokal, prandaj një pjesë e tyre duhet të mbetet në nivel lokal. Po kështu taksat mbi përdorimin e burimeve natyrore si ujin,renta minerare , pyjet etj. bashkia duhet të rrisë më tej  nivelin e pjesëmarrjes.  Kjo do të fuqizojë veprimtarinë e bashkive dhe do të ulë ndjeshëm nevojnë e transfertave, nga buxheti nacional.
Të gjitha këto propozime si; zgjerimi territorial, riorganizimi në një nivel qeverisjeje, decentralizimi i shërbimeve dhe i taksave, janë të lidhura ngushtë si unazat e një zinxhiri. Nuk mund të kesh bashki të fuqishme pa kompetenca; nuk mund të kesh kompetenca pa burime dhe nuk mund të kesh burime pa një territor të qëndrueshëm dhe koheziv. Kësisoj një reformë e tillë administrative-territoriale e mbështetur në këto propozime do të krijojë një Mirditë më të fuqishme në pikëpamje të burimeve dhe mundësive për projekte zhvillimore që do të përmirësojnë jetën e mirditorëve.
Por për realizimin e këtyre propozimeve , ka edhe një kërkesë tjetër, po aq të rëndësishme, që nuk duhet të harrojmë kurrë: mendimi i popullsisë lokale është vendimtar. Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Autonomisë Vendore, e kërkojnë shprehimisht. Asnjë reformë territoriale nuk mund të imponohet nga lart, pa  dëgjuar zërin e atyre që do të preken. Prandaj, unë besoj se detyra jonë nuk përfundon me këtë tryezë.  Është e domosdoshme të organizohen  takime e konsultime publike, ku t’u shpjegojmë njerëzve se çfarë do të thotë të jesh pjesë e Mirditës,  jo vetëm në hartë apo në histori, por në shërbime, në investime, në identitet. Dhe më pas, me këto kërkesa në dorë, të lobojmë te deputetët, te ministritë, te Komisioni për Reformën Territoriale në Kuvend.
Kjo nuk është punë e lehtë. Do të ketë kundërshtime nga bashkitë fqinje që do të humbasin territore. Do të ketë inerci nga qeveria qendrore, e cila shpesh e  sheh me skepticizëm çdo ndryshim. Por nëse ne nuk e bëjmë këtë punë, askush nuk do ta bëjë për mirditorët. Mirdita nuk do të rritet vetvetiu. Rënia demografike nuk do të ndalet nga një dekret por duke e bërë Mirditën tërheqëse jo vetëm për mirditorët.
Unë e  di  gjithashtu se ndryshimi i kufijve administrativë është një proces i gjatë dhe i vështirë. Por  jam i bindur se nëse ne qëndrojmë bashkë, nëse argumentojmë me fakte dhe jo me emocione, nëse respektojmë parimet e kohezionit social, gjeografik, dhe historik, ne mund t’ia dalim.
Le ta shohim këtë reformë jo si një kërcënim, por si një mundësi. Një mundësi për të rivendosur atë që u nda artificialisht. Një mundësi për t’u dhënë fëmijëve tanë një arsye për të qëndruar, jo për të ikur. Një mundësi për ta kthyer Mirditën nga një rajon në rënie të lirë, në një qendër të zhvillimit në veri të Shqipërisë. Le të hartojmë së bashku një propozim konkret, ta nënshkruajmë dhe ta dërgojmë aty ku duhet. Le të tregojmë se Mirdita nuk është vetëm një emër në hartë, por një komunitet i gjallë, që kërkon të marrë fatin në duart e veta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb