Marash Kumbulla po kalon sezonin më të vështirë në karrierën e tij, duke mos gjetur qetësinë e pretenduar në kampionatin spanjoll. I transferuar me shumë bujë pas një sezoni të mirë te Espanjoli, mbrojtësi i Kombëtares nuk po arrin të kalojë dëmtimet te Majorka.

Problemet fizike vazhdojnë të pengojnë vazhdimësinë teij, i cili këtë sezon nuk ka arritur të gjejë stabilitetin e nevojshëm Majorka dhe sërish ka pasur probleme. Qendërmbrojtësi shqiptar ka pësuar së fundmi një tjetër dëmtim muskulor, këtë herë në zonën e aduktorëve, një shqetësim që erdhi në mënyrë të papritur gjatë një seance stërvitore rikuperuese pas ndeshjes së kampionatit.

Analizat mjekësore konfirmuan një tërheqje, duke e përjashtuar automatikisht nga sfida e rëndësishme ndaj Alaveshit këtë fundjavë në kampionat. Ky episod është vetëm vazhdimi i një sezoni të vështirë për mbrojtësin, i cili u dëmtua që në javët e para të kampionatit, konkretisht në përballjen kundër Atletiko Madridit më 21 shtator 2025. Ai dëmtim e la jashtë fushave për disa javë dhe ndikoi dukshëm në ritmin e tij. Edhe pse u rikthye më pas në skuadër, Kumbulla nuk arriti të rikuperojë plotësisht formën, duke grumbulluar vetëm rreth 200 minuta aktivizim në dhjetë ndeshjet pasuese, një tregues i qartë i vështirësive fizike dhe mungesës së vazhdimësisë.

Situata u komplikua më tej nga problemet e përsëritura në muskujt e kofshës së pasme, të cilat e kanë shoqëruar gjatë gjithë sezonit. Edhe në momentet kur dukej se po rikthehej gradualisht, mbrojtësi pësonte rikthime të dëmtimeve, duke e bërë të pamundur stabilizimin e tij në formacion. Në javët e fundit, ai arriti të rikthehej në disa ndeshje, përfshirë një paraqitje të shkurtër kundër Rajo Vajekanos, por pa arritur të japë kontribut. Në total, këtë sezon ai ka munguar në 23 ndeshje të kampionatit për shkak të problemeve të ndryshme fizike, një shifër që tregon qartë ndikimin e dëmtimeve në karrierën e tij aktuale.

HISTORIKU I DËMTIMEVE- Sezonet e fundit kanë qenë të mbushura me ndërprerje për Kumbullën, duke filluar që nga dëmtimet më të lehta muskulore e deri te probleme më serioze si këputja e ligamentit kroçiat gjatë periudhës së tij te Roma. Vetëm në sezonin 2022/23 ai mungoi për më shumë se 250 ditë, duke humbur një pjesë të madhe të ndeshjeve. Edhe në vitet pasuese, lista e dëmtimeve përfshin shqetësime të shpeshta në kofshë, tendosje muskulore dhe probleme me aduktorët. Rikthimet e shpejta shpesh janë shoqëruar me rikthim të dëmtimit, çka tregon një cikël të vështirë rikuperimi dhe menaxhimi fizik. Këto probleme të përsëritura kanë ndikuar drejtpërdrejt në vazhdimësinë e tij dhe në mundësinë për të ndërtuar formë të qëndrueshme në nivele të larta.

STATISTIKAT– Nga ana statistikore, sezoni 2025/26 paraqitet si një nga më të vështirët në karrierën e tij. Me vetëm disa paraqitje dhe një mesatare vlerësimi relativisht të ulët, ai ka qenë larg pritshmërive që kishte krijuar më parë. Në kontrast, sezoni 2024/25 te Espanjoli ishte dukshëm më pozitiv, ku ai luajti rregullisht dhe kontribuoi me 35 paraqitje, duke treguar stabilitet dhe formë të mirë. Më herët, gjatë periudhës te Verona dhe Roma, ai kishte ndërtuar profilin e një mbrojtësi premtues me minuta të konsiderueshme dhe performanca pozitive. Megjithatë, rënia e vazhdimësisë në sezonet e fundit, e diktuar kryesisht nga dëmtimet, ka ndikuar ndjeshëm në statistikat e tij dhe në rolin që ai luan në skuadrat ku ka qenë pjesë. Me dëmtimet e vazhdueshme, Kumbulla do të rikthehet te Roma për të kërkuar një tjetër aventurë.36

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: