Një problem i rëndë mjedisor dhe shëndetësor vijon prej vitesh në lagjen 6 të Kavajë, ku dhjetëra banorë denoncojnë derdhjen e ujërave të zeza në oborret e banesave të tyre.

Denoncimi është bërë pranë “TakFak” nga banori Shpëtim Nova, i cili tregon se prej rreth një dekade ai dhe familje të tjera përballen me këtë situatë për shkak të bllokimit të rrjetit të kanalizimeve.

Sipas tij, puseta që ndodhet në oborrin e shtëpisë së tij është jashtë funksionit, pasi një pusetë kryesore e zonës është bllokuar.

Ai pretendon se bllokimi është bërë nga një fqinj, i cili ka hedhur inerte në pusetën që ndodhet në pronën e tij, duke e nxjerrë jashtë përdorimit. Po sipas banorëve, fqinjit i është rrethuar shtëpia me mure, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen për zhbllokimin e kanalizimeve.

Si pasojë e kësaj situate janë prekur të paktën 10 familje, të cilat përballen çdo ditë me rrezik për shëndetin, ndotje të ambientit, shkatërrim të të mbjellave dhe aroma të rënda. Banorët shprehen se kalimi nëpër oborre është bërë i vështirë, ndërsa frika për përhapjen e sëmundjeve mbetet e lartë.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për të zgjidhur situatën dhe për t’i dhënë fund një problemi që zgjat prej vitesh.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb