Ndryshimet e shumta në pankinë ishin një nga faktorët që ndikuan ndjeshëm në sezonin e Partizanit, me të kuqtë që gjatë këtij edicioni ndërruan tre trajnerë dhe në fund nuk arritën të siguronin një vend në “Final Four”. Një situatë që solli jo pak paqartësi në skuadër dhe që ndikoi drejtpërdrejt edhe në rezultatet e ekipit, sidomos në momentet vendimtare të kampionatit. Partizani e nisi sezonin fillimisht me Skënder Gegën që u largua Pas Kupave të Europës. Më pas u emërua Mladen Milinkoviç në pankinë, por aventura e trajnerit serb zgjati vetëm gjashtë javë.
Drejtuesit kishin besuar se Milinkoviç mund t’i jepte skuadrës stabilitet dhe eksperiencë, por rezultatet e dobëta dhe loja jo bindëse bënë që klubi të ndërhynte shpejt me ndryshimin e parë në pankinë. Largimi i tij erdhi në një moment kur skuadra nuk kishte krijuar ende identitetin e saj dhe kjo bëri që Partizani ta niste kampionatin me shumë paqartësi. Pas largimit të Milenkoviç, drejtuesit vendosën t’i besonin pankinën Oltijon Kërnajës, i cili vinte nga Partizani B dhe njihte mirë ambientin e klubit. Me ardhjen e tij, skuadra pati një reagim pozitiv dhe në disa momente u duk se Partizani po gjente ekuilibrin e duhur. Të kuqtë arritën të riktheheshin në garë për vendin e katërt dhe në disa javë dhanë sinjale se mund të rivalizonin për një vend në “Final Four”, madje e prekën edhe vendin e katërt.
Kërnaja arriti të krijonte më shumë stabilitet në grup dhe t’u jepte hapësira edhe disa lojtarëve të rinj, të cilët fituan rol të rëndësishëm në skuadër gjatë sezonit. Megjithatë, edhe pse pati momente pozitive, Partizani nuk arriti të kishte vazhdimësi në rezultate. Problemet nisën sidomos pas fazës së tretë të kampionatit, kur skuadra pësoi një rënie të ndjeshme në lojë dhe rezultate. Të kuqtë kaluan një periudhë me tetë ndeshje pa fi tore dhe humbën terren në garën për vendin e katërt. Pikërisht në këtë moment u shtuan edhe presionet në ambientin e klubit, ndërsa drejtuesit vendosën të bëjnë një tjetër ndryshim në pankinë vetëm tre javë para fundit të sezonit. Kërnaja u largua dhe drejtimi i skuadrës iu besua përkohësisht zëvendësit të tij Realf Zhivanaj.
Një lëvizje që erdhi në një moment shumë delikat dhe kur skuadra kishte pak kohë për të reaguar. Ndryshimet e vazhdueshme të trajnerëve gjatë sezonit sollën pasoja edhe në aspektin taktik. Partizani ndryshoi disa herë mënyrën e lojës gjatë sezonit dhe kjo ndikoi në mungesën e stabilitetit të ekipit. Çdo trajner kishte idetë e tij dhe mënyrën e vet të menaxhimit të skuadrës, ndërsa lojtarët shpeshherë u detyruan të përshtateshin me fi lozofi të ndryshme brenda një periudhe të shkurtër. Kjo situatë ndikoi jo vetëm në lojën e ekipit, por edhe në aspektin psikologjik të grupit. Në disa ndeshje Partizani dukej një skuadër konkurruese dhe me identitet, ndërsa në të tjera vuante shumë për të krijuar vazhdimësi dhe për të ruajtur rezultatet.
Një tjetër problem ishte edhe mungesa e qartësisë në ndërtimin e skuadrës. Disa lojtarë humbën rolin e tyre në ekip pas ndryshimeve në pankinë, ndërsa të tjerë fi tuan hapësira vetëm për periudha të caktuara. Kjo solli luhatje edhe në formacion dhe bëri që Partizani të mos kishte një bosht të konsoliduar gjatë gjithë sezonit. Në disa momente dukej se skuadra po gjente ritmin e duhur, por ndryshimet e vazhdueshme nuk e lejuan ekipin të ndërtonte vazhdimësinë e nevojshme për të qenë konkurrues deri në fund. Sigurisht, ndryshimet në pankinë nuk ishin arsyeja e vetme e sezonit zhgënjyes të Partizanit. Dëmtimet e shumta, problemet në repartin difensiv dhe mungesa e vazhdimësisë në rezultate patën ndikimin e tyre. Megjithatë, fakti që skuadra ndërroi tre trajnerë gjatë një sezoni tregon qartë se në klub mungoi stabiliteti që kërkohet për të arritur objektiva madhorë.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Partizanit po tregohen më të kujdesshëm në zgjedhjen e trajnerit të ri për sezonin e ardhshëm. Në ambientin e kuq ekziston bindja se sezoni i fundit duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen dhe se Partizani ka nevojë për një projekt më të qëndrueshëm. Klubi kërkon që trajneri i ardhshëm të jetë pjesë e një projekti afatgjatë dhe jo thjesht një zgjedhje momentale. Synimi është që skuadra të ketë më shumë stabilitet, vazhdimësi dhe qartësi në mënyrën e lojës, në mënyrë që të rikthehet sërish konkurruese për objektivat madhorë.
