Ish-zv/komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari, deklaroi se procesi për dërgimin në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë të çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë është një vendim politik, por jo një proces që mund të menaxhohet personalisht nga kryeministri Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Studio24”, në News24, Meçollari u shpreh se çështjet teknike dhe pyetjet që do të adresohen në Hagë janë kompetencë ekskluzive e grupit negociator dhe ekspertëve përkatës.

 

“Ai nuk e hedh firmën sepse është firmë me risk të lartë. Dhe që të hedhësh firmën duhet të jesh profesionist”, deklaroi Meçollari. Sipas tij, përgjegjësitë për dokumente të ndjeshme shpesh delegohen te zyrtarë të tjerë për shkak të pasojave të mundshme ligjore dhe politike.

“Të gjitha firmat e atyre që shkojnë në SPAK i kanë hedhur zv.kryeministrat”, u shpreh ai, duke nënkuptuar rrezikun institucional dhe penal që mund të mbartin vendimmarrje të tilla. Meçollari theksoi se vendimi për t’iu drejtuar Hagës është politik, por ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si po trajtohet procesi nga autoritetet shqiptare. “Të shkosh në Hagë është vendim politik. Por si do të shkosh në Hagë?”, deklaroi ai, duke kërkuar më shumë profesionalizëm dhe transparencë në trajtimin e çështjes së delimitimit detar.

Artur Meçollari: Gjykata i referohet vetëm nenit 10, është në përputhje apo jo. Shkuan Kenia dhe Somalia me vijat sipas tyre, Gjykata i rrëzoi. Në Hagë ne humbasim. Është shtëpi pa leje. Por nuk çfarë i bën, vetëm me Gjykatë mund ta rrëzosh. Është histori që e dimë mirë. Ne kemi rënë dakord me ata, dhe ata e pranojnë vijën tonë të drejtë bazë, e kanë pranuar në Parlament, pse ne duhet të shkojmë në Gjykatë? Që të na marrin këtë pjesë që këta na e lejuan? Në Hagë do shkohet kur të firmosë Presidenti i Republikës. Kjo do t’i mbahet mend Presidentit që ditën e dytë kur të ikë, nqs firmos.

Ministria e Jashtme kur i ka dërguar dokumentet për autorizim i ka dërguar edhe një draftmarrëveshje sipas idesë që ka Ministria e Jashtme dhe ia dërguar për të gjitha çështjet dhe jo për dakordësitë. Presidenti s’mund të thotë nuk e dija ça po firmosja. Nëse ai firmos, po çon të gjithë çështjen në Hagë. Ai e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë nqs firmos. Prandaj ka 3 vjet që e mban në sirtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb