Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar situatën rreth kërkesave për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke u ndalur specifikisht te rasti i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe qasjes së mazhorancës ndaj drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, Deliu theksoi se një deputet nuk mund të detyrohet mekanikisht për të votuar, por duhet të njihet paraprakisht me provat e paraqitura nga strukturat e posaçme. Sipas tij, vendimmarrja e parlamentarëve duhet të jetë e lirë dhe e qartë, gjë që kërkon kohën e nevojshme për shqyrtim.
“Një deputet nuk mund të detyrohet, por duhet patjetër të bindet që të votojë për sa i përket situatës. Kur vjen një kërkesë nga struktura e posaçme, patjetër që deputeti duhet të njihet me provat, pra vendimmarrja e tij duhet të jetë e drejtë, e qartë,” u shpreh ish-deputeti.
I pyetur nëse mosmiratimi i menjëhershëm tregon një punë të pabërë mirë nga pushteti gjyqësor, Deliu sqaroi se bëhet fjalë më tepër për një lloj paqartësie procedurale, pasi provat shpesh janë sekret dhe deputetët si dhe Kuvendi kanë nevojë për kohë.
Më tej, Deliu rikonfirmoi qëndrimin e mbajtur vazhdimisht nga Partia Socialiste duke nënvizuar se mazhoranca nuk do të bëhet mburojë për askënd që ka probleme me ligjin.
“Është thënë dhe nga kryeministri në deklaratat e tij… që mazhoranca socialiste nuk do të mbështesë zyrtarët e saj që kanë probleme me ligjin. Unë mendoj që ka një lloj vullneti politik për sa i përket mbështetjes së gjyqësorit,” deklaroi ai.
