Qytetarët vërshojnë në rrugët e Tiranës, jehona e thirrjeve nga “Zogu I” te selia e PS: Rama jep dorëheqjen, ju erdhi fundi!
09 Korrik, 2026 22:39
Madhësia e tekstit:
Qëndresa qytetare kundër qeverisë ka shënuar një tjetër natë të fuqishme, duke përmbyllur me një marshim masiv ditën e saj të 40-të radhazi të protestës së pandërprerë në kryeqytet.
Pasi qëndruan për disa orë përpara godinës së Kryeministrisë, ku aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë artikuluan akuzat e tyre përmes fjalimeve të ashpra, protestuesit janë zhvendosur në këmbë duke përshkuar akset kryesore të Tiranës.
Kolona e gjatë e qytetarëve ka marshuar fillimisht drejt zonës së 9-katësheve, për të vijuar më pas përgjatë Bulevardit “Zogu i Parë”, rrugës “Fortuzi” dhe rrugës së Durrësit, duke paralizuar qarkullimin dhe duke tërhequr mbështetjen e banorëve në dritare e trotuare.
Edhe këtë mbrëmje, marshimi pa shenja lodhjeje është shoqëruar me koret e fuqishme dhe thirrjet e qindra pjesëmarrësve që kërkojnë rrëzimin e kastës politike. “Rama jep dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Ju erdhi fundi”, dhe “O Erjon, o legen, prit Ramën se po vjen”, ishin disa nga thirrjet kryesore që kumbuan në rrugët e kryeqytetit.
Në mbyllje të aksionit të sotëm, protestuesit dhanë një mesazh të qartë dhe të prerë: kauza nuk do të shuhet dhe tubimet do të vijojnë çdo ditë pa asnjë zmbrapsje, deri në përmbushjen e kërkesës së tyre të panegociueshme, largimin e kryeministrit Edi Rama.