Ka përfunduar edhe këtë të diel protesta qytetare kundër qeverisë.

Mijëra qytetarë u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ku disa prej tyre dhanë prononcime për mikrofonin e News24, ndërsa të tjerë mbanin në duar pankarta ironizuese ndaj kryeministrit Edi Rama.

Më pas, tubimi u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku për rreth dy orë qytetarë dhe aktivistë shprehën shqetësimet e tyre për situatën në vend. Një nga pikat e nxehta të irritimit të protestuesve ishte alokimi i fondit prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West, shpenzim që u konsiderua skandaloz përballë problemeve të qytetarëve të thjeshtë.

Me rënien e mbrëmjes, protestuesit nisën marshimin e tyre të zakonshëm nëpër rrugët kryesore të Tiranës. Këtë herë, mijëra pjesëmarrës përshkuan zonën e Ish-Bllokut me thirrje për revolucion dhe largim të kryeministrit, duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve nëpër kafene që t’i bashkohen kauzës së tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb