Një zyrtar i lartë i Pentagonit ka vlerësuar strategjinë e re të mbrojtjes së Gjermanisë, përmes një deklarate jashtëzakonisht pozitive, që vjen pasi SHBA-ja nisi një rishikim të pranisë së saj ushtarake në Evropë.

Elbridge Colby, zëvendëssekretar i Mbrojtjes në Pentagon, shkroi në platformën X pas një takimi me inspektorin e përgjithshëm të Bundeswehr-it (ushtrisë gjermane), Carsten Breuer, se, me veprimet e saj, Gjermania po pozicionohet si një udhëheqëse kryesore e mbrojtjes konvencionale të Evropës.

Colby, zyrtari i tretë më i lartë në Pentagon, e cilësoi strategjinë e re ushtarake të Gjermanisë si “historike dhe shumë të vlerësuar”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas tij, planet e Gjermanisë, së bashku me angazhimin për të arritur shpejt objektivin e ri të NATO-s, për shpenzimet e mbrojtjes prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, do të përshpejtojnë ndjeshëm forcimin e Aleancës dhe aftësinë e saj për të parandaluar kërcënimet.

Pas kërkesave të presidentit amerikan, Donald Trump që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord në qershor të vitit 2025, të rrisin shpenzimet e mbrojtjes – nga minimumi aktual prej 2% të PBB-së, në 3,5% deri në vitin 2035 – ndërsa një tjetër shpenzim prej 1,5% do të shkojë për investime të lidhura me sigurinë, si infrastruktura.

Gjermania synon ta arrijë objektivin prej 5% deri në vitin 2029.

Colby, i cili tha se takimi me kreun e Bundeswehr-it, Breuer, ishte zhvilluar më 23 korrik, deklaroi javën e kaluar se ushtria amerikane kishte nisur rishikimin e pranisë së saj ushtarake në Evropë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: