Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbrëmjen e së martës (6 tetor), duke bërë me dije se Rusia po përgatit një sulm të ri masiv ushtarak kundër Ukrainës, bazuar në të dhënat më të fundit të siguruara nga shërbimet e inteligjencës.

Përmes një video-mesazhi drejtuar kombit, kreu i shtetit ukrainas theksoi se vendi po përballet me një kërcënim serioz dhe se forcat mbrojtëse janë vënë në alarm të lartë.

“Ka informacione të reja që tregojnë se Rusia po përgatit një sulm masiv. Shërbimet përgjegjëse dhe Forcat Ajrore të Ukrainës janë në gatishmëri të plotë, por aftësia për t’u përgjigjur varet drejtpërdrejt nga mjetet mbrojtëse që kemi në dispozicion,” deklaroi Zelenskyy, pa dhënë detaje specifike mbi kohën apo objektivat e mundshëm.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Zelenskyy nënvizoi se mbrojtja e qyteteve dhe e infrastrukturës kritike nga bombardimet ruse varet në masë të madhe nga ndihma ushtarake dhe furnizimi me municione nga partnerët ndërkombëtarë.

Zelenskyy kërkoi reagim të shpejtë nga Uashingtoni dhe Brukseli për të dërguar sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në Kiev:

“Çdo vend që disponon sistemet e nevojshme të mbrojtjes ajrore mund të kontribuojë në mbrojtjen e jetëve të qytetarëve tanë. Është thelbësore që të ketë vullnet politik, veçanërisht në SHBA dhe Evropë, për të na mbështetur në këtë moment kritik.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb