Neymar bëhet protagonist i mbrëmjes në kampionatin brazilian, duke i mohuar fitoren Flamengos në javën e 29-të të Serie A. Sfida mes Santos dhe kampionëve në fuqi përfundoi në barazim 2-2, falë një reagimi të jashtëzakonshëm të sulmuesit brazilian në minutat e fundit.

Flamengo dukej se e kishte siguruar fitoren që në pjesën e parë, pas golave të Danilos në minutën e 44-t dhe Lucas Paquetás në shtesën e pjesës së parë.

Por kartoni i kuq i Jorginhos, në minutën e 79-të, ndryshoi rrjedhën e takimit. Santos përfitoi nga epërsia numerike dhe Neymar ngushtoi diferencën nga pika e bardhë në minutën e 82-të. Pesë minuta më vonë, ylli brazilian goditi sërish, duke realizuar një tjetër penallti dhe duke vulosur rezultatin 2-2.

Një pikë me peshë për Santos, por që komplikon garën për titullin e Flamengos. Barazimi i jep mundësinë Palmeirasit t’i afrohet kreut, duke e çuar diferencën në vetëm një pikë. Ndërkohë, Santos renditet në vendin e tetë me 42 pikë.

Pavarësisht dëmtimeve të shpeshta, Neymar vazhdon të bëjë diferencën. Këtë sezon, ai numëron tetë gola dhe tri asistime në 13 ndeshje, duke konfirmuar se mbetet një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit brazilian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: