Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka analizuar procesin e miratimit të reformës territoriale dhe ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj opozitës për mënyrën se si e menaxhoi betejën për ndarjen administrative.

Sipas Haxhimalit, Partia Demokratike humbi një mundësi të artë për të ndikuar procesin që në fazën e konsultimeve publike në nivel lokal.

“Opozita duhet ta shfrytëzonte më mirë. Kam qenë kritik ndaj saj. Kam thënë që ditën e parë, e kam artikuluar atë që bëri mazhoranca, duke marrë projektin e vet e çoi nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm në 12 qarqe dhe 61 bashkitë për konsultim. PD duhej t’i qepej këmba-këmbës këtij modeli. Atë që çoi PS, duhet të çonte dhe PD propozimin e vet dhe të vendoste këshilli bashkiak për çdo bashki,” deklaroi Haxhimali.

Eksperti i pushtetit vendor nënvizoi se në çdo vend ku ndërmerren reforma të tilla strukturore, është thelbësore që qytetarëve t’u ofrohen modele alternative përpara se të merren vendimet përfundimtare.

“Nuk e di a i kushtoi vëmendje sa duhet apo jo PD, por kudo që kanë ndodhur reforma të tilla, shkojnë për konsultim me publikun edhe modele të tjera. Rëndësi ka të bëhej si vendim. PD nuk ka vepruar si duhet këtu,” përfundoi Agron Haxhimali në News24.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb