Nga: PANO HALLKO*
Greqia e lodhur dhe e vënë në provën më të vështirë se kurrë ndonjëherë, me një elektorat të mplakur, shkoi në votimet e 25 janarit me një votë revoltë të theksuar. Ashtu siç e nxorën përfundimet e numërimit të votave, partia më e ndëshkuar doemos ishte Pasoku, domethënë “e majta”, pasi e djathta, gjithnjë ka qenë pakicë. Popujt ndëshkojnë më egër ata, të cilëve ndër vite u kanë besuar më shumë. Pjesa dërrmuese e elektoratit ishte dëshmitare dhe ithtare e fillimeve të Pasok-ut, e prandaj edhe “e sajdisën” në atë mënyrë. Më saktë, të dhënat e Ministrisë së Brendshme janë si më poshtë:
Grupmosha 18-23 vjeç, 672 mijë votues -6.9%, 24-29 vjeç, 725 mijë -7.4%; 30-35 vjeç, 900 mijë-9.2%; 36-41 vjeç, 900 mijë -9.2%; 42-47 vjeç, 1 milion-9.2%; 48-53 vjeç, 900 mijë -9.2%; 54-59 vjeç, 900 mijë-9.2%; 60-65 vjeç, 825 mijë -8.4%; mbi 65 vjeç, 3 milionë -34%. Duket qartë se kategoria që vendosi fatin e votimeve të 25 janarit ishte grupmosha mbi 65 vjeç.
Pra, shumica dërrmuese e votave kundër ishin ish-”pasokxhinj të thekur”, siç deklaroheshin grekët në vite.
FALIMENTI I RADHËS…
Njëri nga mendimtarët tejet të paktë këtij kombi, intelektuali shumëplanësh Moikom Zeqo, ndër shumë sentenca të tij, ka edhe njërën, e cila thotë: “Ato që do të ndodhin kanë ndodhur, e ato që kanë ndodhur do të ndodhin”.
Për ata që njohin historinë, falimenti që pësoi shteti i Greqisë nuk është i pari. Duhen të plotë gishtat e njërës dorë për t’i numëruar ata. Shtetin e Athinës e themeloi ish-mbreti Oton, me kreditë në shuma marramendëse në sterlina të Britanisë së Madhe në vitet 1840.
Manovrat e sotme të qeverisë së Greqisë të kujtojnë motamo manovrat që pasuan falimentin e Greqisë pas vitit 1932. Me ndryshimin që atëherë Europa nuk kishte një monedhë të përbashkët.
Në prillin e vitit 1932, me dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, Jorgo Mari, e deri në prillin e vitit 1936 kur erdhi në fuqi qeveria shovene e Metaksait, brenda katër viteve ndërruan shërbimin disa qeveri, të cilat ashtu si këto të pesë viteve të fundit bënin pazare jo me trojkën (atëherë nuk ekzistonte ky term), por me institucionet-siç po quhet Trojka sivjet, pas zgjedhjeve të 25 janarit. Në ato vite quhej Këshilli i Aksionerëve.
Manovrat dhe pazaret e sotme greke ngjasojnë tmerrësisht si dy pika uji me ato të 83 viteve më parë.
Por, nëse shikojmë se kush ka ardhur në fuqi dhe çfarë aleancash preferon, ekziston mundësia që edhe këta të jenë kopje prej karboni e qeverisë së vitit 1936. Ndoshta për këtë e ka pasur fjalën njëri nga diplomatët më të shquar të këtij vendi, i cili para disa ditësh shkruante në faqet e kësaj gazete analizën me titull: “Ciprasi, në politikën e jashtme është grek”.
Po përse duhet të shqetësojë politikën marrëveshja shumëplanëshe greko-ruse? Ata që njohin histori, e dinë se në vitet e luftërave ruso-turke, grupe priftërinjsh kishin udhëtuar në Moskë, madje patën themeluar atje të ngjashmen e kësaj “omonias sonë” këtu.
…Pastaj u kthyen priftërinjtë nga Moska, e u thoshin besimtarëve nëpër kisha: “Mrekullia për ne do të vijë nga Veriu, e çlirimin do të na e sjellë moskovi”. Madje arritën deri aty, saqë kësaj t’i jepnin trajtën e “profecisë”, duke thirrur në ekstazë: “E ka thënë profeti Arkangjel, qysh në kohën e perandorisë bizantine (ec e gjeje ti, kish ekzistuar vërtet ky, apo jo?), pra “Arkangjeli paska thënë se raca bionde që do të vijë nga Veriu, vëllai ortodoks rus, do të shpëtojë grekët nga zgjedha”!
Cipras nuk e bëri betimin mbi Bibël, siç e kishin bërë qeveritë paraardhëse. Në një farë kuptimi, mirë bëri, se edhe qeveritë greke që ishin “betuar” fetarisht, nuk lanë gjë pa vjedhur në atë vend, të paktën 100 vitet e fundit. Por, sapo mbaroi betimin në zyrën e kryeministrit, ai shkoi “e mori bekimin” e hirësisë së tij, kryepeshkopit. Edhe sot, Greqia paratë i kërkon nga Europa, por kokën e vendos në prehrin e Moskës.
…DHE NDJESA E MANOLIT!
Manol Glezo është emër i njohur për shqiptarët, si delegat në kongreset e Partisë së Punës, por të paktën në vitin 1985, kur erdhi dhe nderoi përcjelljen për në banesën e (para)fundit, Enver Hoxhën. Ai është një burrë patriot e luftëtar i shquar i Luftës së Dytë Botërore, një njeri që edhe në vitin e 92-të të jetës së tij, e do vendin e tij po aq sa në rininë e vet. Ai i besoi kauzës së Ciprës, meqenëse ajo bënte fjalë për një… “Shpëtim përfundimtar të Greqisë nga kthetrat e huadhënësve ndër vite”. Por kur dëgjoi deklaratën e Ciprës se… “më në fund e nxorëm kokën mbi ujë”, Glezosi e pa se… kauza kishte rrahur ujë në havan!
Prandaj ai siç është në dinjitetin e tij, i kërkoi ndjesë popullit të vet, për faktin se nuk paskan qenë të vërteta ato që u thanë në fushatën elektorale.
Dhe me plot të drejtë, sepse agjencia gjermane e lajmeve MNI, dje bënte fjalë se Greqia po vazhdon drejt një marrëveshjeje të tretë dhe drejt një kredie të re. Madje, korifenj të Eurozonës vlerësojnë se Greqisë për dy vitet e ardhshme do t’i duhet një kredi e re prej 30 miliardë eurosh. Madje, tani del se këto parashikime dhe bisedime janë bërë qysh para zgjedhjeve të 25 janarit e saktësisht në shtatorin e vitit të kaluar.
Konkretisht zëvendëspresidenti i Komitetit Qendror të Socialdemokratëve, Karsten Shnajder, deklaroi: “Pyetja vendimtare do të shtrohet para muajve të verës: Nëse do vendoset të ngelet Greqia në Eurozonë, do të duhet t’i jepet një paketë e tretë me disa dhjetëra miliardë euro. Sepse disbursim paraje nën kushtet e afateve që po skadojnë nga ana e tregjeve, do të ishte si të gënjenim veten”.
I pari që dha shenjën e miratimit ishte presidenti gjerman Jakim Gauk, i cili tha: “Ne nuk jemi gogoli i Europës, siç duan të na quajnë disa politikanë dhe media greke”. Me shumicë prej 542 votash Kuvendi i Gjermanisë votoi pro ndihmës për Greqinë. Veçse ministri Sojble nënvizoi se qëllimi është “t’i jepet kohë për të mbyllur me sukses programin, me parakushtin që të respektojë kushtet”.
Ministri i Ekonomisë gjermane e përfundoi fjalën e tij: “Në Europë jemi një komunitet, e veçanërisht ne në Gjermani jemi më mirë kur Europa shkon mirë, e duhet të bëjmë gjithçka që ta mbajmë Europën të bashkuar. Ashtu siç është e rëndësishme që secili vend duhet të kryejë detyrat e tij. Ne vërtetë respektojmë rezultatin e zgjedhjeve, por duhet t’i themi Greqisë se nuk mund të vendosë me kokën e vet se cila është rruga e drejtë e Europës. Vitet e fundit treguan se rruga që po ndjekim është rruga e drejtë”, përfundoi Sojble.
…Ka disa muaj që në shkollat e Greqisë, disa fëmijëve u bie të fikët nga uria. Madje, mësuesit e tyre detyrohen t’u blejnë një byrek a një kulaç. Edhe qendrat që ofrojnë një vakt ushqim për qytetarët e uritur nuk mund të përballojnë fluksin. E vërteta lakuriqe është kjo. E kjo e vërtetë është e trishtë për të gjithë ata që janë njerëz. Dua të besoj edhe për Europën. Pasi ishte ajo shkaktare që e pranoi Greqinë, e ndërgjegjshme se kriteret i kishte të realizuara vetëm në letër në çastin e anëtarësimit në zonën e Euro-s. Për të mos thënë se ish- presidenti i Bankës Federale të Amerikës për 17 vite rresht, e pat shprehur hapur mosbesimin e tij për këtë anëtarësim. Por gabimi i Europës qëndron në faktin se ajo pati përcaktuar kriteret e anëtarësimit, pa e vrarë mendjen edhe për… kriteret e përjashtimit.
Për të gjitha këto, e për faktin se paska ende rrugë të gjatë vendi i tij, patrioti Manol u kërkoi falje bashkëqytetarëve të tij. Ai me gërma kapitale shkroi: – “Nga ana ime kërkoj ndjesë nga populli grek, sepse mbështeta një ëndërr të gënjeshtërt”.
Një gjest ndershmërie dhe trimërie njëherazi, që e nderon atë, por që i bën edhe më skeptikë njerëzit që mendojnë…
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: