NGA ORNELA MANJANI

TIRANE-
Këshilli i Ministrave miratoi draftin që fal borxhet e biznesit në Tatime dhe Dogana. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj listoi se kush janë përfituesit kryesorë të ligjit.

“Fshihen detyrimet fiskale, përfshirë principalin, kamatëvonesat dhe gjobën, për periudhat përpara dhjetorit 2010. Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet i plotë tatimi, taksa, tarifa apo kontributi”, – tha Ahmetaj.

Por drafti fal borxhet edhe për një kategori individësh, që burojnë nga taksat e papaguara të automjeteve.

“Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri në dhjetor të vitit 2011, si dhe shuara e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu për mjetet e transportit, të cilat nuk hiqen nga qarkullimi, parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para vitit 2010, si dhe fshirja e gjobave dhe kamatave për periudhat 2011- 2014, me kusht pagesën e detyrimeve nga 2011-ta e në vijim”, – deklaroi më tej Ahmetaj.

“Pikë së pari, është e rëndësishme të sjell në vëmendje se ky ligj për fshirjen e pjesshme të detyrimeve, vjen pas një aksioni të koordinuar nga ana e qeverisë dhe masave konkrete të ndërmarra në dy drejtime paralele, në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Së dyti, e gjitha kjo u shoqërua me një paketë të thjeshtimit të procedurave për sipërmarrjen, një revolucion për herë të parë në 25 vite në klimën e biznesit në vend. 42 procedura të prekura, lehtësi dhe mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, detyrimet që fshihen me këtë ligj u përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve, dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, për këto detyrime, në zbatim të nenit 100 të ligjit 9920/2008, “Për procedurat tatimore në RSH”, të ndryshuar, e drejta për fillimin e procedurave për zbatimin e masave shtrënguese parashkruhet brenda 5 viteve nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të paguhej.

31 MIJË BIZNESE
Do të përfitojnë falje të gjobave. Bëhet fjalë për detyrimet për bizneset e çregjistruara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe gjobat ndaj 31 mijë bizneseve që u vendosën gabim nga sistemi i Tatimeve në verën e kaluar. Po kështu, përmes këtij drafti parashikohet falja Ornela Manjani edhe e gjobave për vonesat në dorëzimin e pasqyrave financiare, apo destinimit të fitimit, si dhe gjobat e vendosura me ligjin e ashpër të procedurave tatimore, i cili më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

SUBJEKTET QË NUK PËRFITOJNË
Nga fshirja e detyrimeve e parashikuar sipas këtij ligji nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilat janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës. Detyrimet që fshihen.

 Të fshihen detyrimet fiskale, përfshirë principalin, kamatëvonesën dhe gjobën, për periudhat përpara dhjetorit 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj.

 Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011- 2014 me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.

Fshirja me të njëjtat kushte e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.

 Fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore me kushtin e pagesës së kontributit, nisur nga fakti se ky është një kontribut që i është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi, dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllim të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit.

Gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin (ato gjoba që qytetarët i mbajnë mend, në qershor 2016, kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik online). Fshirja e gjobave për deklarimin e kontributeve ishte një premtim i drejtpërdrejtë që kryeministri dhe qeveria ua kaloi drejtpërsëdrejti dhe në transparencë të plotë qytetarëve që atë ditë që shqetësimi u bë i ditur.

 Përfshihen këtu edhe rastet e gjobave referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.

Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarja e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu, për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para 2010-ës dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve të 2011-ës e në vijim. Pra s’është parimi i pagesës së principalit për fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave.

Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatorëve të sektorit elektro-energjetik me kapital 100% shtetëror dhe sektorit të ujësjellës-kanalizime, si sektorë strategjikë të ekonomisë dhe në reformë të thellë, kemi parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që i përkasin periudhës janar 2011-dhjetor 2013. Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/ taksës/tarifës/kontributit. Pra ndryshimi i vetëm për këta sektorë krahasuar me kategoritë e tjera, është periudha 2011-2013, kur fshihen në total detyrimet dhe jo në mënyrë të kushtëzuar, si kompani me kapital 100% shtetëror.

Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datën 31.12.2016.

Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: