TIRANE– Largimet nga puna në administratë sa herë që ndërron pushteti, nuk janë diçka e panjohur në Shqipëri. Madje sa herë ka një situatë të tillë, punonjësit e administratës janë më të shqetësuarit.

Përpos problematikave që krijohen për dhjetëra familje të cilët humbasin një burim të ardhurash, kjo situatë krijon edhe kosto në buxhet.

Emisioni “Të bësh Ekonomi” në “News24” ka trajtuar sot një nga temat më problematike, të cilat pavarësisht nismave dhe reformave, ende nuk ka gjetur zgjidhje. Panelistët janë ndalur tek administrata e politizuar, largimet nga puna në administratë, numri i madh i proceseve gjyqësore për shkak të kësaj situate, si dhe kostot në buxhet.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se shqetësues mbetet fakti se nga taksat e shqiptarëve paguhet një administratë e dyfishtë.

“Nuk është fenomen i ri largimi nga puna në administratë. Ka patur largime nga puna sa herë ka patur ndërrim pushtetesh. E prapë do të ketë nëse ndërron pushteti. Shumë persona shmangin gjyqësorin dhe marrin pagesat mujore, ka që nga rangjet drejtuese, e deri të sanitarët, rojet, etj. Në shumicën e rasteve këta persona kanë dalë pa punë me justifikimin ristrukturim i vendit të punës. Pas kësaj bëhet një urdhër i ri, merret dikush me kontratë të pjesshme, dhe bëhet kjo administrata e dyfishtë, që ne e paguajmë nga pagat tona. ka një dëm 30 mln euro të shkaktuar në buxhetin e shtetit, sipas një studimi të BIRN”, tha gazetarja Klodiana Lala.

I prekur nga kjo situatë është edhe sistemi gjyqësor, i cili përballet me një numër të madh çështjesh. Gjykata Administrative has në një numër të lartë padish të ngritura nga të larguarit nga punë në administratë. Dhe kjo shoqërohet edhe me kosto për buxhetin e shtetit.

“Nuk mund të kërkojmë gjithçka nga gjykata, pasi ka një numër të madh çështjesh. Vonesat nuk vijnë nga shkalla e parë, por në nivelet më të larta. Për shkak se aty shkojnë çështjet nga i gjithë vendi”, thotë avokate Eda Grimci.

Ekspert i Politikave të Punësimit, Kosta Bajraba tha se pas vitit 2013 është vënë re një numër më i vogël i të punësuarve në administratë krahasuar me periudhën para këtij viti.

“Po të shikojmë tendencën e gjyqësorit nga 2013, mund të themi se ka patur një shtim të rasteve. Ka patur një numër më të ulët të punësuarish në administratë pas 2013”, tha Kosta Bajraba, ekspert i Politikave të Punësimit.

Por deklarata e tij ka ngjallur debate mes panelistëve.

Bajraba: “Larguat edhe akademikë”.
Grimci: Shumë mirë që i larguan. Ishin administratë enveriste.
Bajraba: Është hera e parë që dëgjoj një avokate të thotë diçka të tillë.

Eksperti Bujar Bendo, nga Dhoma e Tregtisë, përmend edhe një tjetër problematikë me të cilën ndeshen të larguarit nga puna. Ai thotë se hasen vonesa në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, apo ka edhe raste ankimimi.

“Ka një institucion që pretendojmë se jep drejtësi, është gjykata. por ka një keqdashje nga administrata për ata që ka larguar vetë. Nuk pranon ekzekutimin e vendimeve. Ka prej tyre që i ankimojnë. E vazhdojnë me pretendimin “e kam për detyrë”. Kanë nga dy vite njerëzit në disa raste që presin. Ka prej tyre që janë në prag pensioni, dhe u duhet të presin edhe tre vite”, tha eksperti Bujar Bendo, nga Dhoma e Tregtisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb