TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një mesazh, që sipas tij i ka ardhur nga një qytetar ku tregohen të gjitha lidhjet e Dritan Hallunit, kreut të trupit gjykues që liroi Arben Frrokun, me Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Arben Frroku i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, trupi gjykues i së cilës kryesohej nga Halluni.

Sipas këtij qytetari, dy kushërinjtë e Hallunit janë kryetarë të PS-­së dhe LSI-së Shkodër, ndërsa disa të afërm të tjerë të tij janë drejtues të drejtorive të rëndësishme në këtë qytet.

Postimi i plotë i Berishës

Të dashur miq, unë po e vendos si status me mirënjohje të thellë mesazhin e Franit, njërit prej nesh që më shkruan për lidhjet me Ramën dhe Metën të kryetarit të trupit gjykues që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun duke hedhur poshtë dëshminë e atij që pa me sy dhe njohu vrasësin në vendin e ngjarjes dhe makinën me të cilën u krye vrasja dhe targën e saj! Mesazhi juaj u dëshmon shqiptarëve se Gjykatësi troc Halluni zbatoi vetëm porosinë e Ramës dhe Metës, që vranë për së dyti komisarin Lamaj. Frani në mesazh shkruan:

“Z. Sali Berisha nuk di a i ke marr vesh të mirat që i bën Edi Rama dhe Ilir Meta Dritan Hallunit në Shkodër për favoret e Arben Frrokut:
Kryetar i Partisë Socialiste Shkodër – Andi Halluni (djali axhës Dritan Hallunit);
Kryetari i LSI Shkodër – Senad Halluni (djali axhës Dritan Hallunit);
Drejtori i OSSHEE Shkodër – Andi Halluni,
Drejtori i Repartit Maternitetit Spitali Rajonal – Senad Halluni;
Përgjegjës Dogana Hani Hotit – Helidon Halluni
Drejtoria e Tatimeve Shkodër – Kunati i Dritan Hallunit
Drejtoria e Tatimeve, shefe kontrolli – motra e Dritan Hallunit.
Të gjithë fisin e Dritan Hallunit e kanë përkrah për të favorizuar Arben Frrokun”
Dhe një herë Fran ju falënderoj me mirënjohje për informacionin e çmuar që më keni dërguar.

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: