TIRANE- Analisti Andi Bushati në një intervistë për Çim Pekën, thotë se marrëdhënia mes dy partnerëve të qeverisë, Edi Rama dhe Ilir Meta është thyer rëndshëm. Por sipas Bushatit edhe pse kjo gjë ka ndodhur, sërish ata do të vazhdojnë të qeverisin, për shkakun se LSI është parti e ngritur për të përfituar nga benefitet e pushtetit.

Duke folur për gazetarin dhe analistin Çim Peka, Bushati thotë se vendit nuk i duhet një aleancë Rama-Basha. Sipas tij, vendit më shumë i duhet një opozitë e fortë që të kontrollojë pushtetin se sa një koalicion bipartizan. Gazetari Andi Bushati e quan të gabuar edhe sjelljen e kryedemokratit Lulzim Basha në fushatën e 21 qershorit që tha se “ishin një referendum kundër qeverisë”.

INTERVISTA E PLOTE
Botuesi Mero Baze në një intervistë për SYRI.net megjithëse kur ju referuar se shkuarës u shpreh se Meta-Rama “një plesht djegin jorganin”, nuk besonte kurrsesi se ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës mund të ndodhë ndonjë thyerje. Mediat verore shprehej Ilir Meta po tentojnë të sajojnë përplasje ndërmjet aleatëve të 1 Prillit. Portali juaj kishte dje një analizë interesante mbi këtë raport ku i mëshonte idesë se e gjitha është një lojë e Ilir Metës për të rritur pazarin. A keni ju një ide se çfarë po ndodh realisht ndërmjet Ilir Metës e Edi Ramës?
Rama dhe Meta janë thyer keqas dhe për këtë ka më shumë se një dëshmitar, që nga gazetarët qiraxhij të Gjirit të Lalëzit, që nga botues të rëndësishëm me të cilët kryetari i kuvendit ka folur e deri tek qëndrimet publike të disa njerëzve shumë pranë Metës, të cilët e kanë shprehur edhe publikisht këtë fakt. Analiza e Lapsit që iu i referoheni e shikonte këtë konflikt kryesisht nga këndvështrimi i rritjes së pazarit. Por ka edhe hipoteza të tjera. Njëra është ajo e presionit të ndërkombëtarëve për të luftuar partitë që ngrenë shtet paralel brenda shtetit. Një tjetër është beteja për zgjedhjet e 2017 dhe ambicia e Metës për tu ngritur në krye të shtetit. Frika e Ramës se me pushtetin e pakontrollueshëm që i ka dhënë, ai po e shndërron LSI-në në rivale serioze. Pra të gjitha këto bashkë mund të jenë në themel të acarimit të tanishëm.

Por pavarësisht atij unë mendoj se kjo dyshe vëllezërish armiq e kanë shumë të vështirë të ndahen nga njëri- tjetri deri në zgjedhje. Sepse Meta ka ngritur një strukturë që nuk ushqehet dot më pa benefitet e pushtetit. Sado që të ndihet i fyer, i pa begenisur, i lënë mënjanë nga Rama dhe nga delegacionet e perëndimorëve që i evitojnë takimet me të, ai është i dënuar të zvarritet në koalicion. Ndërsa Rama, ashtu sikurse Berisha dje, nuk mendoj se e ka fuqinë për tu ndarë nga një aleat që duket sikur i prish punë po i iku, por që në fakt e damkos më keq po i ndenji brenda.

Ka zëra nga politika dhe mediat që po flasin për mundësinë e një aleancë PS-PD për reformat e mëdha. Unë personalisht kam prova që Presidenti një vendi perëndimor, mik i kryeministrit Edi Rama, e ka pyetur vjeshtën e kaluar në zyrën e Bashkisë, kryetarin e PD-së Lulzim Basha nëse ishte i gatshëm për një koalicion me Ramën për reformat e mëdha. Ju a e shikoni të mundshme një gjë të tillë? Në rast se po, do ti shërbente kjo vendit apo do të kishte efekte negative? Kush mund të dilte i fituar nga një gjë e tillë?
Unë nuk besoj tek kjo aleancë dhe për më tepër mendoj se më shumë sesa një koalicion i madh bipartizan, vendit i duhet një opozitë e fortë. Më shumë sesa për reforma të mëdha kemi nevojë për kontroll dhe vigjilencë të madhe ndaj pushtetit. E pse iu dashka Shqipërisë një koalicion i madh??? Për të bërë marrëveshje të turpshme si ato që ndryshuan kushtetutën në vitin 2008. Për të bërë plane makabre si ai Rama- Berisha, për të ndërtuar tek parku i liqenit, po në të njëjtin vit? Për të bërë marrëveshje 30 vje[are si ajo koncesionit të parkingjeve të Tiranës? Përse???

Prandaj, mendoj se më shumë sesa një koalicion i madh, që mund të prodhojë edhe zullume të mëdha, vendi ka nevojë për kontroll dhe balancim. Dhe këtë rrol mundet ta luajë vetëm një opozitë e fortë.

Rritja e LSI-së në këto zgjedhje a ju duket se është bërë një kërcënim për të dy partitë e mëdha?
Rritja e LSI-së nuk është natyrale. Ajo i ngjan shumimit të larvave që rriten në trupin e pemës ku gjallojnë. Nëse pema është pa kontroll, e pa dizifektuar, LSI bymehet. Në të kundërt ajo shkon aty ku e ka vendin. Nëse askush nga partitë e mëdha nuk e pranon lojën e pisët të LSI-së, e cila sipas një shprehjeje të vjetër të Ramës “rrëmben pushtet për të vjedhur vota dhe vjedh vota për të rrëmbyer pushtet”, Partia e metës kthehet në dimensionin e saj real. Prandaj ajo nuk përbën një kërcënim për dy partitë e mëdha.

Por në të kundërt ajo përbën një kërcënim për demokracinë. Sepse me rastin e fundit, atë të vitit 2013, ajo krijoji një precedent të turpshëm dhe të dëmshëm: Atë të një partie që qeveris për 4 vite dhe shkon me dy muaj të votohet si opozitë. Këtij mekanizmi të mashtrimit të elektoratit për ti shpëtuar gjykimit të tij, i duhet dhënë fund.

Reforma në drejtësi është reforma e fundit që Edi Ramës i duhen edhe votat e LSI-së. Ka një perceptim se Ilir Meta ndjehet i kërcënuar nga miratimi i kësaj reforme. Cila është analiza juaj?
Meta është në një dilemë të madhe. Ai e di që ndërkombëtarët e kërkojnë reformën në drejtësi dhe ai nuk do të bëjë rolin e politikanëve kosovarë që pengonin ngritjen e gjykatës speciale. Por nga ana tjetër ai nuk do t’ia japë në tepsi të argjendtë këtë favor Ramës ndaj ende nuk di si do të sillet në këtë rast. Këtë e tregojnë edhe deklaratat e tij të fundit.

Opozita. Cili është gjykimi juaj për sjelljen e opozitës pas zgjedhjeve? A i qëndroni analizës se para zgjedhjeve qe Basha nuk duhej ta konsideronte referendum popullor garën e 21 Qershorit?
Po ishte një gabim. Basha as e kishte fituar kredon morale pas humbjes shkatërruese të 2013, as nuk e kishte ndryshuar imazhin e PD-së, as nuk ishte shkëputur nga mentaliteti i qeverisjes Berisha duke e zgjatuar atë edhe në qeverisjen e Tiranës. Për këto arsye në vend të futjes së fushatës në një hulli vetëvrasëse: zgjidhni mes nesh dhe socialistëve, ai duhej –sipas meje- tu drejtohej shqiptarëve ndryshe. Ti bënte të mendonin nëse ishin të kënaqur apo jo me pushtetin e ri. Rama ende del i fituar nga krahasimi me qeverisjen e PD-së. Por ai del i humbur nga krahasimi me pritshmëritë e njerëzve. Prandaj mendoj se Basha luajti gabim kur deshi ti imponojë zgjedhjet si referendum krahasues. Besoj që rezultati më dha të drejtë.

Por pavarësisht se ai qe i thellë kjo nuk është një humbje e madhe për opozitën. Ajo ka ende kohë të eksperimentojë dhe të gjejë vetveten. Aq më tepër që rezultati i 21 qershorit e zhveshi edhe nga të gjithë kostot që të jep pushteti. Tani ka shansin të jetë më e pastër dhe më e besueshme. Le ta shohim.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb