TIRANË

Ish-drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika është liruar nga burgu dhe do të hetohet për shpërdorim detyre nën masën “arrest shtëpie”.

Ish-kreu i ARRSH-së, Dashamir Xhika akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me rrugën Tiranë-Elbasan.  Ndryshimi i masës nga arrest me burg në arrest shtëpie u njoftua sot nga Gjykata Penale.

Gjithashtu dy personat e tjerë si Albens Alite dhe Aksel Qorduka vijojnë te hetohen nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u arrestua më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Mbi ish-numrin 1 të ARRSH-së, rëndonin akuzat e shpërdorimit të detyrës për aksin Tiranë-Elbasan, një rrugë e nisur para shumë vitesh dhe e papërfunduar deri më sot.

Ndërtimi i rrugës ishte parashikuar të kushtonte 407 mln $, por pas  auditit  të kryer nga Ministria e Infrastrukturës  rezultoi se rruga Tiranë-Elbasan  kishte një dëm prej 54 milionë dollarë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda  liroi Xhikën më 23 korrik pas një vendimi aspak transparent, por pas apelimit nga Prokuroria, gjykata vendosi ta rikthejë sërish në burg. Por sot Dashamir Xhika la qelinë për t’u hetuar nën masën “arrest shtëpie”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb