Ajo që ka qenë Partia Demokratike dhe Opozita deri në verën e vitit 2021- e madhe, alternativë e fortë e pushtetit, vetëm 37 mijë vota larg PS-së, diferencë të cilën, sipas të gjitha gjasave, do ta kishte rekuperuar disa herë në kohën që po flasim, duke e lënë prapa shumicën e kryeminstrit Rama dhe duke ecur e sigurt drejt fitores së zgjedhjeve politke të radhës, është sot porsi ai lisi i shtrimë përdhe, nëse do të përdornim metaforen e njohur të Pashko Vasës në poezinë e tij të famshme “ O moj, Shqypni”.

E coptuar, e përçarë, kjo opozitë s’ka pak muaj që regjistroi një humbje shumë të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit ku fitoi vetëm shtatë bashki të vogla nga gjashtëdhjetë e një që ka vendi dhe ku mori mbi dyqind e pesëdhjetë mijë vota më pak se në vitin 2021. Nesë kakofonia, shthurja vetvrasësë dhe katandisja e saj në feude ambiciesh të vogla të njërit dhe tjetrit vazhdon, pa menduar e shërbyer kush zgjidhje për tërësinë përtej vetvetes, rënia do të jetë edhe më e madhe, do të këtë më shumë demokratë dhe opozitarë jashtë fraksioneve politike opozitare se sa brenda tyre. Gjithkush që pret t’i bjerë fitorja në prehër për shkak të degradimit të qeverisë, ta harrojë. Nuk do të ndodhë. Ashtu janë punët.

E dimë të gjithë se kataklizma politike e Partisë Demokratike, më e madhja e opozitës dhe alternativa e vetme gjer më sot e PS-së në luftën për marrjen e pushtetit, ka në gjenezë lëvizjen e Foltores nga ish-kryetari Sali Berisha pas sanksionimit të tij nga Sekretari i Shtetit, Blinken në verën e vitit 2021 dhe pezullimit të tij për këtë shkak si deputet i PD-së nga Lulzim Basha. Qëllim Berishës ishte të sfidonte SHBA si shef i opozitës dhe ndoshta edhe si shef i shumicës më tej, duke e menduar të pavërtetë me sa duket proamerikanzimin e shqiptarëve, të cilët, sipas këtij projeksioni, do të bashkoheshin e motivoheshim më shumë rreth tij për t’i dhënë Ushingtonit mesazhin: Ju e sanksiononi, ne e bëjmë kryeministër.

Për këtë, atij i është dashur të zhvillojë betejën politike më të madhe të jetës së tij, romaneske nga një pikpamje, duke nxjerrë në pah gjithë dispozitivin e energjive dhe zotësisë në habitatin e tij politik, përmes kombinimit të narrativave kryesisht njërpërdorimëshe me premtimin për një parti më të madhe, më të bashkuar, që do t’i çonte demokratët në fitore, siç i kishte çuar dy herë të tjera. Në këtë mënyrë ka mundur t’u zgjojë e mobilizojë ndjekësve të tij kujtimet e kohës së pushtetit dhe të përdorë mjeshtërisht frustrimin e tyre nga humbja në zgjedhjet e vitit 2021, duke ia vënë fajin për këtë Lulzim Bashës.

Për premtimet e Foltores dhe pritshmëritë ndaj saj gjithkush mund të gjykojë vetë në dritën e zgjedhjeve të fundit dhe zhvillimeve korente në arqipelagun opozitar. Ajo që ka mbetur e gdhendur nga gjithë Rithemelimi berishian është vija ndarëse për orientimin gjeopolitik me atë pjesë të PD-së, të demokratëve dhe zgjedhësve opozitarë që nuk e ndoqën, por qëndruan në bindjen e tyre se nuk fitohet kundër SHBA dhe me SHBA kundër.

Nuk fitohet dyermbyllur me Perendimin. Nuk duhet të fitohet. Vija ndarëse për orientimin është e vetmja që nuk mjegullohet, nuk nuk zhurmohet, nuk maskohet me asgjë, madje do thosha nuk zbutet as me veprime demokratike, siç janë fjala vjen primaret në parti, të aplikuara në zgjedhjet vendore të këtij viti nga zoti Berisha.

Vija ndarëse është aty e nuk lëviz as nga përplasjet dhe ndarjet që ndodhin në vijimësi si tërmetet e vogla pas tërmetit të madh, në PD-në zyrtare që nga zgjedhjet e 6 marsit të vitit të shkuar e deri të përplasjet e fundit për zgjedhjet e reja në Parti ku njëri grup ka propozuar të fillojnë me zgjedhjen e kryetarit në korrik, siç po ndodh, kurse grupi tjetër ka dashur që zgjedhjet të fillojnë nga seksionet për të mbërritur te kryetari. Asnjëri propozim nuk ka qenë vetëm i mirë apo vetëm i keq. Me sa shihet, konflikti ka në themel apo ushqehet me lexime të ndryshme të statutit, shoqëruar me një lloj padurimi, intolerancë apo pedantizmi për t’i shkuar sekush të vetës. A thua se partia është ajo që ka qenë para tërmetit të Foltores. Në fakt, me gjymtimet, shembjet, largimet e vetlargimet që kanë pësuar organet kësaj partie, sekush ma merr mendja mund të ketë në dorë një argument a një fakt kundër tjetrit. Mjaft të dojë ta përdorë.

Në pyllin e hollësive statuore dhe interpretimeve të ndryshme mund të futen e të gjykojnë me kompetencë vetëm organet zyrtare të apelimit brenda partisë dhe mandej gjykatat. Përgjegjësia dhe largpamësia politike kërkon që, përtej aspektit juridik, drejtuesit duhet të shohin kryesoren në momentin e dhënë dhe të bashkohen për ta shërbyer atë. Krysorja që nga dorëheqja e Bashës në mars të vitit të kaluar ka qenë organizimi i Partisë, legjitimimi me votë të fshehtë i organevë drejtuese të saj. Siç i ka bërë Berisha me Rithemelimin. PD nuk mund të vazhdojë pa fund si bleta pa mbretëreshë që nuk mbledh. Është shumë mirë kur ka debate dhe diskutime kontruktive për çdo gjë. PD duhet të bëjë diferencën në këtë pikë. Siç ka bërë në Kuvendin e saj të 18 dhjetorit 2021. Sot as Berisha nuk është “berishizmi”, sipas kuptimit që ka patur ky term në vitet e para të demokracisë kur përjashtoheshin njerëz për mendime ndryshe apo arrestoheshin gazetarë.

Siç e vura në dukje më lart, në spektrin opozitar, pra edhe në PD, ka një vijë tjetër ndarëse që mbetet e pakalueshme: ajo për orientimin. Në kuptimin që nuk mjafton të themi jemi me SHBA- kjo është gjysma e punës- por duhet të na njohë edhe SHBA si miq dhe aleatë të saj. Si në një tango ku duhen dy palë. Njerëzit janë të lirë ta mendojnë si t’u vijë për shtat edhe këtë çeshje. Dikush që deri sot e ka menduar të pakalueshme vijën ndarese me Berishën, mund të fillojë ta mendojë të kalueshme. Kjo edhe duke parë një lloj “normalizimi” që i ka bërë sanksionimit “non grata” Edi Rama me qëndrimet dhe aleancat e tij me të shpallurit në krahun e tij politik. Natyrisht, pa harruar se Rama nuk është shpallur vetë që t’i mbyllen dyert në SHBA.

Gjithsesi një kosto e ka marrë e vijon ta marrë për ambigitetin e tij edhe në këtë pikë. Temë tjetër kjo.

Për të qëndruar në spektrin opozitar, kushdo që mendon të kalojë vijën ndarëse duhet ta bëjë publikisht. Siç e kanë bërë plot të tjerë që nga dita e parë e Foltores e në vijim. Një gjë nuk luan: edhe sikur të mos mbetet asnjë prej drejtuesëve të PD zyrtare në këtë parti, edhe sikur të bashkohen të gjithë me Rithemelimin nën të njëjtin drejtues, vija ndarëse nuk do të zhdukej por do të kalonte si vijë ndarëse me zgjedhësit. Opozita do të vazhdonte të pluskonte në dështime. Sa kohë Berisha nuk i hap rrugë bashkimit efektiv të opozitës me tërheqjen e tij, e vetmja rrugë për forcimin e saj mbetet institucionalizimi i opozitës plurale, ku secili subjekt rritet në vetvete.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb