NGA ATJON ZHITI
Mbase ky do të ishte njeri nga titujt që na vjen në mendje, kur lexojmë këto dy skica-ide, interesante të Atjon Zhitit, të nxjerra nga komunikimi i dikurshëm i tij me miqtë dhe shokët e vet studentë, i pari nga letrat, që ne, të rriturve na duket e pa zëvendësueshme, sikur na jep më mundësi meditimi e filozofie, kurse i dyti është marrë nga linket elektronike, nga ‘fb’ i Atjon Zhitit, që për të rinjtë është bërë i përditshëm, pjesë e qenësishme e jetës së tyre, duke sjellë lehtësira mahnitëse komunikimi dhe informacion të hatashëm, mospërballimi i të cilit ndonjëherë jep efekt të kundërt.
Autori në këto dy parabola modeste kafkiane, por me sens pozitiv, na tregon përkitazi se ka dhe ndjesi të përjetshme, të pandryshueshme nga zhvillimet, sado moderne qofshin, si shqetësimi i gjithmontë për përsosje apo dashuria për dheun-amë, që dhe në kushtet e globalizimit, nuk është arkaizëm si dhe ndjejmë shpërdorimet që sjell koha dhe në ndjenjë.
Megjithëse Atjon Zhiti iku nga kjo jetë dëshpërimisht para kohe, 3 muaj më parë, në një aksident rrugor, duke lenë përgjysmë studimet për filozofi në Milano, (edhe media italiane shkruajti për studentin shqiptar), botimet e kësisojshme, edhe pse të pakta, kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, ndërkaq ato na japin dhe sensacionin se e reja vjen dhe tek ne, më e pastër dhe më e mençur.
Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të besojmë e të përpiqemi, por jo vetëm kaq, edhe ta mbështesim të renë dhe të rinjtë, dhe pse jo, t’u hapim rrugë… (Përgatiti: Visar Zhiti)

1. NË KËRKIM TË AGARTIT Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi.

Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.
Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon.
Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (äáôěďí), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.
Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin. Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej: Njeriun.
Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon. (Durrës, 9 shtator 2010).

2. ARENA MODERNE
Nuk e gëlltis dot shumë patriotizmin e lindur befas nga një ndeshje, ka një të qenë të zbehtë, të shtirur e të pavlerë. Atdhetarizmi i vërtetë, kur ndihet, arrihet të shprehet në të gjithë mënyrat e manifestimit që ka, qoftë të heshtura dhe të padukshme. Nëpër mend më kalon kënaqësia e krenaria për progrese të arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…

Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që në të vërtete ndihet i përfshirë në këtë “rryme”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetjake.

Për mendimin tim ajo ndeshja e asisojshme e paradokohshme vetëm ndeshje nuk qe, por jam tejet i lumtur që çunat mbrojtën simbolet tona, eventi ama ishte një gati-shfryrje politike e vendeve, të cilat plot me probleme nuk arrijnë të shprehen e të mbërrijnë rezultate në arenë politike. Nuk do të dëshiroja të flisja për Serbinë, por për vendin tim. Ne arritëm të tregojmë diçka, por ama betejën e radhës përsëri se si bën dhe e fiton kundërshtari.

Ata vazhdimisht vazhdojnë të hedhin baltë, pa ia treguar kush dhëmbët e së vërtetës siç duhet. Ne, si gjendje, nuk kemi një ndjenje kush e di sa të fortë atdhetare, si një zeje të brendshme do të thosha, jo si shpërthime. Shteti në periudha tranzicioni, biles edhe më përpara, nuk ka patur një politikë etnike reale, kurrë nuk jemi shqetësuar si mendësi paraprake, por si mund i mëpastajmë, kur duhet ditur më së miri të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike.
Serbia që kur fort-e-dashura jonë Kosovë ka marrë pavarësinë, ka trefishuar investimet tek ne, shkëmbimet ekonomike me ta janë intensifikuar, ndërsa me Kosovën që nuk duhet të ketë fare doganë, madje as kufi të vërtetë, janë ulur, po fiton një Serbi, ku Presheva nuk njihet se është lenë me mjerim, përfiton një sistem që me dekada di të përdhosë e ne nuk ngremë krye, absolutisht nuk dëshiroj përgjakje, por dua forcë e vendosmëri për shtetin tim.

Ajo çka fatkeqësisht dimë të bëjmë më mirë, është të tejçojmë vuajtjet e të parëve tanë brez mbas brezi, të flasim me mllef (me të drejtë në shumë raste, po jo e drejtë gjithashtu, sepse politika nuk përben një popull të tërë, edhe vetë nuk besohem të jam ndjerë i përfaqësuar nga politikat e vendit tim.) Dua të them se nuk është një analizë ose opinion, është një ndjesi që lind nga ndodhitë e fundit dhe dua të shtoj se ndjenja e dashurisë kundrejt vendit rritet ende më shumë bashkë me njohjen, qoftë dhe duke parë më shumë e më shpesh trojet shqiptare, Tetovën, p.sh. P.s: Foton e mëposhtme e përzgjodha, sepse me pëlqen dhe do të doja Tiranën ta shihja ashtu të përndritur edhe për të sjellë ndryshimet reale, që duhen për Atdheun tonë. Dhe më vjen të thërras: RROFTË SHQIPËRIA! Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë. (Tetovë, 17 tetor 2014).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: