Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, duke e kthyer në autostradë të mirëfilltë mund të shoqërohet me kosto shtesë për përdoruesit e rrugës. Në dokumentet për termat e referencë për rikonstruksionin e urës së Beshirit, në aksin Plepa-Ndroq-Tiranë, autoriteti rrugor shqiptar ka pranuar Indirekt se ky segment mund të kthehet me pagesë në të ardhmen.

Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative. Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet” thuhej në dokumentin e ARRSH, i cili nuk është më në versionin shqip nga faqja zyrtare e institucionin.

Kjo në fakt nuk është një ide e re, më parë gjatë qeverisë Rama 2 u hodh propozimi i dhënies më koncesion zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës.

Gjatë prezantimit të projekt buxhetit 2019, në komisionin e ekonomisë, ministri i atëhershëm i financave Arben Ahmetaj deklaronte se kishte një propozim për koncesion për këtë aks. Arben Ahmetaj, më 12 qershor të vitit 2018 kur ishte ministër i Financave dhe Ekonomisë pohoi se; “Ndërkohë, po përgatitet procedura për aksin Tiranë-Durrës me zgjerimin me 3 korsi, pra në total 6 korsi për këtë aks kryesor të vendit (Tiranë-Durrës) dhe vazhdimin e përmirësimit më tej, nëpërmjet një aksi të ri, Vorë-Rrogozhinë. Dua të theksoj se projekti i paraqitur zyrtarisht në Ministrinë e Infrastrukturës është shpërndarë në autoritetet që marrin pjesë në konsiderimin e projektit, duke përfshirë edhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ky është një propozim, i cili kërkon zero lekë nga buxheti i shtetit. Pra, do të jetë një PPP, i cili do të financohet tërësisht nga investitorët dhe në afat të gjatë, rikthimi i investimit do të vijë nga financimi nëpërmjet toll-it qoftë për operacionet, qoftë për mirëmbajtjen, qoftë për investimet, nëse do të plotësohen të gjitha kushtet”, tha Ahmetaj.

Ajo që dihet deri me tani, është se qeveria është tërhequr nga varianti i dhënies me koncesion të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, pasi nga drejtuesit e ARRSH është deklaruar se ky projekt do të tenderohet me fonde buxhetore. Pyetja që shtohet është se duke qenë se zgjerimi i rrugës do të behët me fonde buxhtetore, pra e paguar nga taksat e qytetarëve pse duhet që aks të kthehet me pagesë? Më parë një kompani konsulentë e qeverisë kishte propozuar se tarifa që duhet të paguajnë mjetet për kalimin në autostradat në Shqipëri, duhet të ishte nga 0,5 cent të euros deri në 3,4 cent të euros. Përkthyer në 100 km tarifa, varion nga 0,5-3,5 euro. Mbetet për tu parë se cili do të jetë vendimi i qeverisë shqiptare për aksin më të trafikuar në vend, i cili nëse do të kthehej me pagesë do të sillte të ardhura të majme për autoritetin pronar të rrugës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb