Ervin Demo, kryetar dhe njëherësh edhe kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Beratit në zgjedhjet e 14 majit, ka deklaruar se qyteti është në rrugën e duhur për tu bërë shembull i një historie suksesi se si një qytet mund të ndryshojë në vetëm pak kohë.

Ai shtoi se ende ka shumë probleme në qyte, duke pasur parasysh se problemet e akumuluara në 3 dekada nuk mund të zgjidhen në vetëm pak vite.

Zoti Demo ka deklaruar gjithashtu se ndjehet krenar që qytetit të tij i është kthyer tashmë shpresa, dhe se qytetarët po përpiqen të bëjnë diçka për veten dhe qytetin, ku 65 përqind e kredive merren nga persona që investojnë në turizëm.

“Berati mbase vëmendjen nuk e ka pasur në 30 vitet e fundit dhe problemet e akumuluara në 30 vjet nuk mund të zgjidhet në 3 apo 4 vite. Besoj që në vitet që kemi para, Berati do jetë një histori suksesi për të gjithë Shqipërinë ku tregohet se si mund të transformohet një qytet në pak kohë.

Sa i përket turizmit, nëse i referohemi 2019 kishim 210 mijë turistë, ndërsa në 2022 mbi 400 mijë turistë. Kjo është një aspekt si duhet të zhvillohet qyteti.

Sa i përket kandidatit që kam përballë, mund të kujtoj që në 2019 Berati para 2019 ka qenë i qeverisur nga koalicioni PD –LSI. Katër vite ku qyteti ka bërë regres në shumë fusha.

Sot është një momentum i rëndësishëm për Beratin.
Ajo që më bën krenar është rikthimi i shpresës dhe vëmendjes në historinë e Beratit.

Mbi 65 përqind e kredive merren nga persona që investojnë në turizëm.
Qyteti po lëviz me hapa të shpejtë dhe po bëhet më i gatshëm të presë turistët.

Ne vendosëm që me të ardhurat e bashkisë të shlyenim borxhet që bashkia kishte, ajo që ka ndodhur në Berat është që investimet nga donatorët janë 15-fishi se çka bërë bashkia gjatë këtyre viteve”, ka deklaruar ai.

Demo, është pyetur nga gazetarët në studio edhe në lidhje me qëndrimin e tij mbi gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit.
Ai u shpreh se nuk ka pasur kohë të ndjekë asgjë gjatë kësaj periudhe sepse ka qenë shumë i zënë me fushatën, por ka shtuar se në parim bullizimi nuk është aspak diçka e mirë.

“Takimi i djeshëm në Berat ka qenë i jashtëzakonshëm. Kam dy muaj që nuk kam parë emision fare sepse kam qenë i zënë me fushatën.
Di të them që mesazhet e kryeministrit dhje kanë qenë pozitive. Pjesa e gjuhës bullizuese, në parim mendoj se bulimi është negativ. Megjithatë nuk di se në çfarë konteksti janë thënë ato fjalë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb