NGA ZONJA KATERINA
Përbërësit

1.2 kg presh
1 filxhan qumësht
150-200 gr djathë të bardhë
2-3 kokrra vezë
3 lgj vaj ulliri
2 lgj margarinë
Kripë, piper i zi
1 pako peta
Pergatitja
Fillimisht grijmë hollë preshin dhe e lemë në një tigan me pak vaj ulliri dhe ½ e filxhanit të qumështit, të mbuluar me kapak që të zbutet. Rrahim vezët së bashku me djathin e bardhë të thërrmuar, shtojmë pak kripë dhe piper të zi dhe më pas e shtojmë tek preshi duke e trazuar mirë.

Pjesën tjetër të qumështit e vendosim në një enë dhe e bashkojmë me margarinën e shkrirë. Me këtë yndyrë lyejmë tavën dhe vendosim petët e para të spërkatura me yndyrë. Vendosim më pas mbushjen me presh dhe e mbulojmë përsëri me petë të spërkatura me qumësht dhe margarinë. E vendosim më pas byrekun të piqet në temperaturën 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb