Ish-ministri i Kulturës, Aldo Bumçi i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për krijimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ai u shpreh se ky vendim i djeshëm i kryeministrit Edi Rama është një çështje luksi, teksa shtoi se në Shqipëri është vendosur një regjim autoritar, ku ka rënë sistemi i drejtësisë. Më tej ai tha se nuk ka ministra, por një sulltanat (referuar kryeministrit Edi Rama), që emëron drejtorë dhe i heq kur të dojë.

“Unë besoj se kjo temë është një luks, pasi në një vend që është vendosur një regjim autoritar. Ka rënë sistemi i drejtësisë, është një sistem i kapur ose në kolaps. Partisë më të madhe opozitare i qëndron emri në gjykata dhe zgjedhjet kanë rënë. Në këtë realitete të diskutosh për këtë është luks, nuk është fare çështje në këtë Shqipëri, ku njerëzit nuk kanë, mundësi të marrin në dorë fatin e tyre, ekonominë e tyre.

Në radhe të parë kemi hyrë në vitin e 11-të të qeverisjes së Ramës, ku nuk ka ministra, por kryeministër dhe drejtorë. Financat janë në të gjithë botën shtyllë e qeverisë, këtu nuk ka ministra, por një sulltanat që emëron drejtorë dhe i heq kur do. Së dyti, shkrirja e ministrive me ministri të tjera, e shëndetësisë me mirëqenien sociale është gabim i madh. Pse? Kemi të bëjmë me një administratë tejet të dobët, e cila është dëmtuar më shumë me qeverisjen e Ramës.”, u shpreh Bumçi.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb