ATHINE– Për herë të parë që nga marrja e detyrës, kryeministri Aleksis Cipras ka shprehur optimizëm të përmbajtur për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët, sipas gjasave madje edhe të hënën e ardhshme, në takimin e Eurogrupit.

Duke përmbledhur zhvillimet e 24 orëve të fundit, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të samitit, kryeministri deklaroi se është bërë një hap, se është përshkuar një distancë e rëndësishme gjatë negociatave dhe ia dedikoi ndryshimin e kursit lidhur me mbledhjen e Eurogrupit, marrëveshjes së tij me kreun e eurozonës, Jeroen Dijsselbloem për t’u caktuar dy komisione teknike që do të përgatisin marrëveshjen e re.

Sipas Ciprasit, është një kontratë e re sociale, ndërsa vuri në dukje se gjatë pozicionimit të tij në takimin e nivelit të lartë, kërkoi nga partnerët që të krijohet një marrëdhënie besimi dhe të trajtohet ndryshimi politik në Greqi jo si kërcënim, po si ndryshim.

Në përgjigje të pyetjes nëse “kontrata sociale” do të shtrohet në referendum apo do të përzgjidhet rruga parlamentare, kryeministri la të kuptohet se do të paraqitet në parlament.

Ai e argumentoi këtë duke shprehur sigurinë për besimin e popullit ndaj qeverisë, diçka që siç tha, vërtetohet edhe nga tubimet për mbështetjen ndaj qeverisë.

”Për pesë vjet populli protestonte duke dënuar qeveritë, ndërsa sot manifestimet janë në përkrahje të qeverisë, diçka që na jep forcë”, deklaroi ai.

Kryeministri përsëriti mjaft herë se as Trojka, as memorandumi nuk ekziston më dhe vuri në dukje se asnjë lider i huaj gjatë samitit, nuk iu referua trojkës.

”Greqia do të konsultohet me partnerët institucionalë, kryesisht me Komisionin Europian, ndërsa do të gjendet në konsultim të vazhdueshëm me FMN dhe me Bankën Qendrore Evropiane”, theksoi Cipras.

Duke shprehur në mënyrë të tërthortë kënaqësinë e tij për zhvillimet e fundit, kryeministri deklaroi se kohët e fundit u trafikuan mjaft skenarë që u përgënjeshtruan, si skenarët e krizës dhe të falimentimit, nëse nuk nënshkruante zgjatjen e afatit të programit.

”Në këto momente po diskutohet ekskluzivisht një marrëveshje e re. Kjo do të thotë se Greqia pretendon, bind, nuk shantazhohet dhe nuk shantazhon”, deklaroi Cipras.
(ma.ar/ana-mpa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: