Vatikani shkarkoi nga misioni një prift polak menjëherë sapo ky i fundit zbuloi se ishte homoseksual, duke u prezantuar publikisht me partnerin e tij.

At Krzystof Charamsa, i cili mbante një post të lartë në Vatikan, i bëri thirrje Kishës Katolike që të ndryshonte qëndrimin e vet lidhur me homoseksualët.

43-vjeçari ka zbuluar gjithashtu edhe partnerin e vet spanjoll, në dy intervista të ndryshme, për një gazetë italiane dhe një televizion polak.

“Ka ardhur koha që Kisha të hapë sytë sa i takon bashkësisë Katolike homoseksuale dhe të kuptojë se, zgjidhja që u propozojnë atyre për të hequr dorë në mënyrë përfundimtare nga rruga e Zotit është antinjerëzore”,- tha prifti për italianen “Corriere della Sera”.

“E di që do të më duhet të heq dorë nga shërbesa fetare, që është gjithë jeta ime”,- shtoi ai.

Prifti, i cili mbante një post në Kongregacionin e Doktrinës së Besimit që nga viti 2003, mbajti edhe një konferencë për shtyp me partnerin e tij katalanas dhe aktivistët homoseksualë në një restorant në Romë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: