Analisti Artur Zheji, i ftuar në emisionin “Pika mbi i” në “News 24”, duke folur për deklaratat e ambasadores amerikane në Tiranë, deklaroi se Kim u shpreh se amerikanët nuk duan kasta të forta në Ballkan.

Zheji theksoi se Yuri Kim me deklaratat që ka bërë, i tha popullit “ndryshoni më 25 prill”.

“Kim dukej kryeopozitar që fliste për Shqipërinë. Foli për kriminelët në parlament dhe ne e dimë se kush është forca politike që futi kriminelë në politikë. Është opozitarizëm diplomatik i Yuri Kim. Aambasadorja kërkon ndryshimin, ose duhet pra që Rama duhet të rishpikë veten e tij, të bëjë nga e para çdo gjë ose do vihet në provë një opozitë të re. Ndryshimi do të thotë ta zvogëlojmë pandëshkueshmërinë. Ajo tha se nuk mund t’iu thuash shqiptarëve se do qeverisen nga këta njerëz prapë. Amerikanët s’duan kasta të forta në Ballkan. Ambasadorja flet me trendin e ndryshimit”, deklaroi Zheji.

Deklaratat e ambasadores së SHBA, Lala: Po e bën të qartë se kush prek votën do ndëshkohet. Mesazh liderëve
Nga ana tjetër gazetarja Klodiana Lala tha se pandëshkueshmëria dhe korrupsioni janë dy probleme të mëdha dhe se ambasadorja e SHBA Yuri Kim po e bën të qartë se kush prek votën do ndëshkohet. Ajo tha se është dhe një mesazh për liderët e partive.
“Pandëshkueshmëria është sot problemi më i madh sot në Shqipëri. Jam skeptike që institucionet e drejtësisë nuk kanë dhënë një goditje të madhe. Kur flas për peshq të mëdhenj, flas për ata që na kanë qeverisur në 30 vite, na kanë vjedhur. Flas për nivele të larta, flas për ministra, kryeministra etj. Së dyti korrupsioni është një problem i madh. Janë dy raste konkrete se si drejtësia shqiptare shkatërroi dy dosje që kishin të bënin me shit-blerjen e votës, dosja e Durrësit dhe e Dibrës.
Zonja ambasadore po e bën shumë të qartë për secilin zyrtar që do duhet të mos shesin dhe blejnë votën.
Zyrtarë të PS, njerëz të lidhur me krimin kishin ngritur mekanizëm të sofistikuar. Në SPAK ka të paktën 20 denoncime nga opozita kryesisht që ngre dyshime për intimidim të zgjedhësve apo shitblerje të votës.
Kim po e bën të qartë se kush prek votën do ndëshkohet. Ka një mesazh shumë të fortë për liderët e partive sa i përket kriminelëve në parlament”, deklaroi Lala.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb