Edgar Çani erdhi me shumë bujë te Partizani duke firmosur një kontratë që sipas raportimeve të mediave e bënte atë futbollistin më të paguar në kampionatin shqiptar. Por futbollisti që ka veshur edhe fanellën e kombëtares nuk e ka përligjur investimin duke luajtur fare pak minuta me të kuqtë, pasi për disa muaj vijon të mbetet i dëmtuar.

Shkaku i kësaj mungese të gjatë është operacioni që 28-vjeçari ka kryer në muajin maj në gjurin e tij. Për këtë arsye pas ndeshjes me Luftëtarin sulmuesi është larguar drejt Italisë për t’i kërkuar llogari klinikës që ka kryer operacionin pasi riaftësimi i tij ka zgjatur përtej çdo limiti.

Pas ekzaminimeve të kryera po në këtë klinikë Çani ka marrë garancinë se pas një muaji do të jenë në gjendje për të luajtur. Futbollisti është kthyer në Shqipëri dhe sipas mjekëve gjuri problematik ka nevojë vetëm për pastrim, dhe për një kohë jo të gjatë gjithçka do t’i përkasë së kaluarës.

Sipas llogarive Çani do të jetë gati në muajin shkurt për tu vendosur në dispozicionin e skuadrës, por gjithsesi klubi nuk është se i beson shumë këtij versioni pasi Starova para pak ditëve pohoi se nuk i var shpresat te 28-vjeçari.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb