Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar një operacion të bastisjes në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi në lagjen “Qëndresa” në Veternik.

Christopher Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar për Telegrafin se Zyra e Prokurorit të Specializuar po kryen operacione të vazhdueshme.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar po kryen operacione të vazhdueshme”, tha shkurt Bennett.

Në lidhje me këtë ngjarje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar në lidhje me bastisjet e fundit të Gjykatës Speciale të Hagës.

“Siç po raportohet në media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer bastisje në Kosovë. Njëra prej tyre është në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Edhe këto bastisje që po ndodhin sot, janë vetëm një spektakël i radhës nga ana e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Në media është raportuar se edhe në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, janë bërë kontrolle në banesë.

“Jo, nuk ka pasur bastisje. S’ka pasur bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurrgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë nxjerr si lajm”, ka thënë Kuçi. Ai është i angazhuar si këshilltar në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, i cili po gjykohet në Hagë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb