Dashuria, drejtësia, plakja, e keqja dhe e mira, kujtesa, koha, vendi dhe besnikëria janë tematikat e 10 titujve të rinj të ardhur në gjuhën shqipe përmes projektit te Pegit me Creative Europe, “Një perspektivë mbi përkufizimet”. Nobelistë si Ishiguro e klasikë si Maria Ecca De Kueiros, emra të mëdhenj si Ungaretti kanë zgjeruar hartën e botimeve duke sjellë shumëllojshmëri botësh letrare përfshirë autorë me çmime europiane për grupmosha të ndryshme deri te librat për fëmijë.

“Janë 10 autorë me tema të ndryshme që kapërcejnë kufizimet dhe tabutë me të cilat në përballemi në çdo kohë.
Janë autorë me letërsi cilësore që kanë fituar çmime dhe janë vlerësuar edhe në rastet kur në vendin tonë janë të panjohur”, tha Aida Baro nga Botimet Pegi që sollën projektin e njëherësh përkthyese e Ungaretit.

3 prej autorëve janë fitues të Çmimit Europian për Letërsinë dhe mes tyre “Nën hijen e Kodrës së gjelave” që shpërfaq historinë e një kombi në zanafillën e vetëdijes. Përkthyesit po ashtu janë emra të konsoliduar në laminë letrare.

Ben Andoni tha se përkthimi i “Aventurave të Shegertit të vogël” të Ivana Muzuranic, ka qenë sfidë ngase vepra ka shumë referenca fetare dhe duhej sjellë më në sinkron me jetën laike të ditëve tona ndryshe nga një shekull më parë kur u shkrua.Po aq, u ndal edhe Agim Doksani te përkthimi i Halldora Thorodsen te “Pas xhamit të dyfishtë” që sjell perceptimin skandinav mbi plakjen, ndryshe prej asaj që kemi ne dhe mbi mundësitë që duhen kapur pavarësisht kohës kur vijnë.

I përkthyer nga Beti Njuma erdhi në gjuhën e origjinës edhe libri i Elvis Malajt, shkrimtari shqiptar që jeton e shkruan në Itali, duke qenë kandidat për Çmimin “Strega”. Boshti kryesor i këtyre titujve është pasiguria dhe kapërcimi i përkufizimeve dhe kufizimeve të caktuara nga shoqëria, një lloj kapërcimi i kornizave dhe stereotipave të vendosura padrejtësisht mbi jetën e njerëzve, jo vetëm sot, por gjatë gjithë historisë njerëzore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb