I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Kastriot Korro profesor në UBT, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare ka folur për Ditën Botërore të Bletëve, rëndësinë e bletëve dhe nevojën e mbështetjes së bletarëve nga shteti.

“Sllovenia është një nga kombet më bletërritës, në shekuj shqiptarët kanë qenë popull bletërritës. Sllovenët kanë një shprehje shumë të bukur: Nëse do një bujqësi të përparuar, bletaria është poezia e bujqësisë. Pra nuk mund të ketë bujqësi pa bletari, s’ka ushqim pa bletari, s’ka njerëzim pa bletari dhe s’ka diversitet pa bletari. Institucionet tona nuk i kanë vlerësuar siç duhet bletët. Menjëherë pasi u miratua nga OKB me iniciativën e Sllovenisë, Shqipëria është bërë pjesë e festimeve të kësaj dite dhe fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka qenë iniciatori kryesor. Në Universitetin Bujqësor ekzistojnë ekspertët dhe laboratorët më të mirë që kemi patur dhe kemi në bletari. Ne sot kemi të regjistruar sipas informcaionit shtetëror rreth 400 mijë koshere bletësh, por janë më tepër pasi kemi edhe rritësit bletësh amatorë. Bletaria duhet zhvilluar, Shqipëria ka fat të madh sepse natyra i ka krijuar peisazh të shkëlqyer. I kemi të gjitha llojet e bimëve, nëse Sllovenia është shumë e zhvilluar në abikulturë, Shqipëria i ka kushtet më të mira se Sllovenia për të zhvilluar abikulturën. Por institucionet tona si Ministria e Bujqësisë edhe e Mjedisit nuk kanë bërë gjë. Shteti ynë nuk ka kontribuuar aspak në abikulturë, ka kaluar në sektorin e tretë dhe shteti ynë ende nuk ka dhënë asnjë mbështetje. Maqedonia jep mijëra euro subvencione pa limit, ndërsa ne kemi një shumë të vogel dhe me limite. Ky sektor ka zhvillim kaq të madh sa i ka parakaluar të gjithë sektorët e tjerë në blegtori dhe shteti nuk ka investuar, duhen projekte. Projektet e BE që kanë impakt të lartë kanë qenë shumë të vogla dhe nuk i përgjigjen ritmit. Nuk ka strategji shpërndarje, nuk merren ekspertët e fushës, shoqatat etj. Nëse bletaria suportohet me projekte mund të shtohen rreth 50 mijë vende pune. Shteti ka mundësi që të sigurojë të ardhura dhe të bëhemi një nga shtetet më eksportuese në bletari. Prodhimi duhet të subvencionohet, pra të mos mbetet stok”-deklaroi Kastriot Korro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb