Elifi vetëm dy vjeç vuan nga tumori cerebral. E mitura është duke marrë trajtim të specializuar pranë spitalit pediatrik në QSUT, por shpëtimi i saj sipas mjekësve duhet urgjentisht të kryhet jashtë vendit. Vajza ka kryer dy ndërhyrje në vend por shpresat e mëdha janë vetëm në Turqi. Familja Hasanaga jeton në Tiranë. Mjekët i kanë se nëse vajza nuk operohet rrezikon të humbasë shikimin dhe madje mund të humbë edhe jetën.

Operacioni i ndërhyrjes për tumorin cerebral kushton 20.000 euro. Në rast se paratë nuk do mblidheshin në kohë, gjithçka do të ishte vonë për Elifin. Por Elvis Naçi bëri një thirrje në studio të premten e kaluar për të ndihmuar prindërit e Elifit me shumën e kërkuar nga spitali në Stamboll të Turqisë. Elifi, ka bashkuar shqiptarët pa asnjë dallim. Qindra qytetarë shqiptarë dhe anembanë botës, pa shumë bujë e fjalë dhuruan para për shërimin e foshnjës dhe treguan një shembull të jashtëzakonshëm të solidaritetit njerëzor. Elvis Naçi ka shkuar personalisht tek Pediatria e QSUT-së ku është shtruar Elifi për t’i dhënë të ëmës dhe gjyshes së saj lajmin e mirë se paratë janë mbledhur dhe se shumë shpejt vajza e diagnostikuar me tumor në kokë do niset drejt Turqisë për të kryer ndërhyrjen. Shtatë ditë më parë e ëma e Elifit nuk ngrinte dot kokën nga dhimbja dhe meraku teksa rrëfeu sëmundjen e vajzës. Por më të marrë lajmin nga Elvisi, shpresa rilindi në çast dhe e bëri të marrë frymë lirisht.

“Kam ardhur të të jap lajmin e mirë se lekët për Elifin janë mbledhur, do ta nisim sa më shpejt se nuk pret puna, asnjë sekondë më nuk do vonohemi, do ketë jetë të gjatë, nesër do ketë familje, do gëzosh prindërit e gjyshërit. Do bëjmë atë që është më e mira për vajzën. Do ta shikojmë të shëruar, Zoti para ne prapa!”, -i tha Elvisi të ëmës së Elifit teksa po luante tek lodrat me 2-vjeçaren. Elifi ka fluturuar drejt Stambollit ku ndodhet spitali ku do të kryejë ndërhyrjen për heqjen e tumorit në kokë. Vajza ka fluturuar më të ëmën drejt Stambollit dhe është përcjellë me shumë emocione të forta nga të afërmit e saj në Rinas ditën e enjte.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb