Premiera më e re e Teatrit Shëtitës të Kiço Londos titullohet “Hamami i grave” dhe ka në qendër qëndresën e disa grave kundër shembjes së hamamit. Londo shpjegon konceptin dhe tronditjen e shoqërisë.

Gjashtë gra të traumatizuara nga jeta e tyre e përditshme takohen në një hamam për t’u çliruar nga dhembjet fizike e shpirtërore, derisa “papritur vjen lajmi që ky vend relaksi, hamami ku gjejnë shpëtimin e shpirtit të tyre, duhet të prishet dhe të shndërrohet në një bibliotekë. Vepra merr përmasa interesante, gratë bëhen bashkë përballë vendimeve të pushtetit lokal”. Me regjinë e Kiço Londos, komedia “Hamami i grave” i Nel Dun mban premierën të premten në orën 18:00 në teatrin e Kamzës. Por çfarë ndodh kur shemben vende të shenjta?

“Reagimi është reagim anglez i grave që edhe pse në humbje shohin dritë në fund të tunelit dhe nisin të organizohen shpirtërisht që ti bëjnë ballë presionit sanduic. Ka shumë humor, të papritura e ka shumë dhimbje”.

Me kostumografi që i afrohen veshjeve të grave në hamame, regjisori premton se spektatori do të shohë një hamam të vërtetë dhe vërtetësinë e njeriut në hamam, i zhveshur nga bota, gjykimet, droja a frika. Ndaj shfaqja ka një qëllim:

“Në Shqipërinë tonë flitet për dhunë, krim dhe korrupsion. Në fakt ajo që mua më shqetëson më shumë është vrasja e shpresës…..Unë mendoj që vepra jonë do t’i flasë shpresës”.

Regjisori që ka qenë drejtor i tre teatrove, që prej shkarkimit ka themeluar Teatrin Shëtitës, ku premierat shfaqen në qytete të ndryshme teksa për “Hamamin e grave” ai ka 12 bashkëpunëtore femra, sa numri i apostujve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb