Tirana nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 kundër Teutës në ndeshjen e dytë të kampionatit të luajtur në “Selman Stërmasi”.

Bardheblutë u futën në këtë takim për pikët e plota duke patur parasysh humbjen në sfidën e parë, por në disa raste fati dhe në disa të tjera portieri kundërshtar bëri që ky takim të mbyllej pa gola.

Skuadra e drejtuar nga Ze Maria në një moment gjatë pjesës së dytë e kaloi topin pas shpinës së portierit kundërshtar, por goli u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Një ndeshje e mirë nga Teuta, që ashtu si Tirana i pati mundësitë për të marrë 3 pikët në kryeqytet. Ekipi i drejtuar nga Bledi Shkëmbi humbi një rast shumë të pastër në minutën e 65-t kur Latif me portën e boshatisur goditi jashtë.

Dy barazime në dy ndeshjet e para për “djemtë e detit”, 1 kundër Flamurtarit dhe një kundër Tiranës.

Tirana 0-0 Teuta

Komenti i ndeshjes

90+3’ Përfundon takimi

90′ Jepen tre minuta shtesë.

83′ Gjuajtje e shpejtë me kokë e Kërçikut i dalë në ndihmë të sulmit, Hidi reagon në mënyrë të shkëlqyer dhe shpëton portën e tij.

82′ Blazhevski gjen rrjetën pas një aksioni nga e majta, por vijërojtësi sinjalizon për pozicion jashtë loje.

76′ Në zhvillimin e goditjes nga këndi, vjen një gjuajtje e shkëlqyer e mesfushorit Beqja, i cili godet shtyllën. Drithërima në portën bardheblu.

75′ Aksion në anën tjetër të fushës, Vecaj gjuan me forcë por Abibi reagon shumë mirë dhe grushton topin.

74′ I sapofuturi në lojë Greca nis një top në qendër nga e majta për Sentamu i cili në zonën e vogël nuk arrin të shënojë në portën e Hidit.

66′ Çfarë ka humbur Latif! Pasimi i jashtëzakonshëm i Krujës nga e majta gjen Latif në zonën e vogël por sulmuesi në mënyrë të pabesueshme humb para katërkëndorit një mundësi të artë duke dërguar sferën jashtë.

63′ Pasim i gjatë nga e djathta për Krujën në shtyllën e dytë, ai kthen sferën në qendër por askush nuk e devijon edhe pse sfera kalon gjithë pasqyrën e portës.

60′ Sulm i Latif në të majtë, ku arrin të shmangë Abibin, por Maveje kthehet dhe largon topin nga këmbët e tij para se të gjuante në portë.

58′ Aksion i shpejtë i Sentamu nga e djathta, sulmuesi gjuan por gjen gati Hidin.

57′ Tjetër zëvendësim te Teuta, largohet Traore dhe hyn Beqja.

56′ Aksion i shkëlqyer i Tiranës me shumë pasime, Sentamu nga e djathta harkon në qendër për Kobinah, por ky i fundit nuk gjen portën me devijimin e tij.

54′ Goditje dënimi nga e djathta për Tiranën, harkon Karabeci direkt në duart e Hidit pasi askush nuk arrin të devijojë sferën.

50′ Shumë më kërkuese Tirana në këto minuta, por nuk arrin të gjuajë në portë.

48′ Pretendon për penallti Tirana pasi një gjuajtje e Hoxhallarit devijohet me dorë nga Gjeorgjievski. Gjyqtari Meta bën shenjë që loja të vazhdojë.

46′ Nis pjesa e dytë

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë pa gola.

45′ Jepet 1 minutë shtesë.

44′ Situata zhvendoset në portën tjetër, ku Kobinah shfaqet në zonë dhe pason për Hasanin, por ky i fundit nuk arrin të devijojë sferën.

43′ Shpëton Tirana nga një gol i sigurt. Pas një goditje dënimi të Avdylit, Abibi devijon sferën që ndalet në traversë. Pastaj është Osmani që gjuan drejt kuadratit por gardiani i Tiranës bën mrekullinë duke ndalur goditjen e tij me një devijim instinktiv.

40′ Zëvendësim i detyruar për Teutën. Largohet Kamara për shkak dëmtimi, duke i lënë vendin Vecajt.

39′ Blazhevski provon edhe ai nga jashtë zonës, sfera përfundon jo shumë larg katërkëndorit të Hidit.

37′ Karabeci gjuan me forcë nga distanca, tentativë aspak shqetësuese për Hidin i cili pret në pozicion goditjen e mesfushorit.

32′ Abibi tregon talentin e tij duke devijuar një gjuajtje të fortë të Traore nga jashtë zonës.

31′ Teuta rrezikon përsëri me një goditje dënimi, por skema e zgjedhur nga durrsakët përsëri nuk prodhon një gjuajtje drejt katërkëndorit të portës së Tiranës.

29′ Atingah shpëton bardheblutë pas një momenti të vështirë me një ndërhyrje vendimtare për t’i hequr topin nga këmbët Latif i cili po shkonte drejt portës.

28′ Vjen gjuajtja e parë në portë e kësaj ndeshje, i përket Kobinah, por është shumë e lehtë dhe Hidi pret në pozicion pa probleme.

23′ Provon edhe Karabeci me një gjuajtje të fortë nga distanca, por nuk gjen kuadratin e Hidit, me sferën që kalon mbi traversë.

21′ Hasani fiton topin në qendër të mesfushës dhe nis Kobinah në krahun e majtë, por futbollisti i afruar gjatë verës është në pozicion jashtë loje dhe aksioni ndalet nga vijërojtësi.

20′ Aksion interesant i Krujës nga e majta, harkim në qendër për Kamara i cili nuk arrin të devijojë me kokë sferën që përfundon në fundore.

14′ E vëmendshme mbrojtja e Tiranës që nxjerr në pozicion jashtë loje Latif, i cili ishte nisur drejt portës së Abibit.

12′ Maveje provon me një gjuajtje të fortë nga distanca, aspak shqetësuese për Hidin i cili qorton gjithsesi shokët e skuadrës që i dhanë hapësirë mesfushorit të gjuajë.

11′ Gjeorgjevski kroson rrezikshëm nga e djathta, Atingah largon topin nga zona duke evituar gjuajtjen në portë të kundërshtarëve.

7′ Top i gjatë nga prapavija e Teutës që mbërrin te Turtulli, ky i fundit e ul sferën rrezikshëm për Abibin, i cili arrin që të kontrollojë sferën para Avdylit i cili po sulmonte rrezikshëm.

5′ Insiston Teuta me sulme nga krahët, por Tirana izolon Latif që të mos arrijë të ketë kontakt me sferën.

2′ Goditje dënimi nga e majta, harkon në zonë Avdyli, kërkojnë penallti durrsakët pas një ndërhyrje ndaj Latif. Por vijërojtësi ndal aksionin dhe sinjalizon për pozicion jashtë loje.

1′ Ka nisur takimi

TIRANA-TEUTA ORA 19:45—Formacionet zyrtare

TIRANA: Abibi, Doka, Turtulli, Atinga, Hoxhallari, Hasani, Maveje, Karabeci, Kobina, Sentamu, Blazhevski. Trajner: Ze Maria

TEUTA: Hidi, Gjorgjevski, Bicaj, Osmani, Hakaj, Avdyli, Sidibe, Kruja, Kamara, Traore, Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi

Gjyqtarë: Kridens Meta, Ridiger Ccokaj, Denis Agaraj, Juxhin Xhaja

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb