Pak minuta pas ngjarjes, avokati Ilia Ilia që u dhunua dje nga dy persona pranë Prokurorisë së Durrësit, drejtoi gishtin e akuzës ndaj një prokurori si urdhërues i sulmit.
Ilia Ilia është dhunuar sapo kishte përfunduar një seancë gjyqësore, ndërsa i fashuar dhe me sy të nxirë nga spitali në dëshminë e tij për policinë tha se dy personat që e dhunuan, ishin udhëzuar nga prokurori Arian Ndoj.

Pas ngjarjes policia shpalli në kërkim shtetasin Mondi Voga, 42 vjeç, banues në fshatin Halil në Krujë por nuk ka identifikuar ende bashkëpunëtorin.

“Më datë 19.07.2018, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe punohet për kapjen e shtetasit M.V., vjeç 42, banues në fshatin Halil, Krujë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, pranë Gjykatës Durrës, ka goditur me grusht, avokatin I.I., vjeç 60, banues në Durrës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkautorit. Neni 316 i Kodit Penal”, thotë policia në njoftimin e saj.

Ndërkohë vajza e avokatit ka kontaktuar sot me “BalkanWeb” dhe ka rrëfyer detaje të tjera nga ngjarja duke akuzuar prokurorin Arian Ndoj se qëndron pas sulmit të babait të saj.

Ajo thotë se Mondi Voga, personi i denoncuar nga babai i saj si dhunues dhe i shpallur në kërkim nga policia, ka një lidhje të ngushtë me prokurorin Ndoj prej vitesh duke vënë në dispozicion të “BalkanWeb” foto edhe video, ku prokurori dhe personi i akuzuar shfaqen bashkë.

“Dëshirojmë t’ju dërgojmë disa foto që personi Mondi Voga i cili ka dhunuar avokatin në Durrës Ilia Ilia, ka postuar që prej vitit 2015 bashkë me prokurorin Ndoj”, thotë vajza.

Ajo sjell disa fakte që sipas saj të çojnë tek përfundimi se prokurori është urdhërues i sulmit. Vajza tregon edhe fjalët që i kanë dhënë agresorët të atit kur e kanë dhunuar.

 

“Ne nuk provojmë asgjë apo akuzojmë dike. Sepse për akuzë është organi i Prokurorisë. Ne nuk kemi fakte që është prokurori që e ka dhënë urdhrin për goditjen. Unë po ju parashtroj faktet që prokurori Ndoja ka lidhje me autorin Voga e cila duket qartë nga fotot e postuara nga vetë Voga në profilin e tij ‘Facebook’. E gjithë dinamika e ngjarjes dhe e sulmit na bëjnë që të dyshojmë fort që prapa këtij sulmi si organizator dhe bashkëpunëtor qëndron Prokurori Ndoja.
3 faktet që janë:
1- Një dite më përpara kanë debatuar në seancë gjyqësore dhe është kërcënuar nga prokurori se do të bëhej pishman shumë shpejt për ato që kishte thënë.
2- Autori Mondi Voga përpara goditjes i është drejtuar babait tim duke i thënë ‘je ti ai i forti që i ke bërë karshillik prokurorit Ndoja?’.
3- Prokurori dhe autori Voga kanë një lidhje prej së pakti që nga viti 2015 që duket nga postimet në Facebook nga Voga ku duket që e shoqëron prokurorin Ndoja nëpër aktivitete Profesionale dhe në dreka miqësore apo duke udhëtuar me makinë”, thotë e bija për “BalkanWeb”.

 

Ajo ka një apel për Prokurorinë e Përgjithshme ndërsa kërkon që ngjarja të hetohet sa më profesionalisht që personat që morën pjesë të përgjigjen para organeve.
“Ne kërkojmë që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë një qëndrim mbi këtë çështje. Dhe që prokuroria të bëjë një hetim sa më profesional dhe sa më të thellë në mënyrë që gjithë personat që kanë marrë pjesë në këtë akt barbar të përgjigjen para organeve te shtetit”, apelon vajza e avokatit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb