Kërkesave që Serbia ta heqë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj, zyrtari serb Gjuriç u është përgjigjur se është më mirë që Kosova ta fusë në Kushtetutën e saj Serbinë.

As që bëhet fjalë për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës së Serbisë, thotë Beogradi zyrtar pasi ministrja kosovare Edita Tahiri ka deklaruar se nga Serbia është kërkuar që të hiqet preambula në të cilën Kosova trajtohet pjesë e Serbisë.

Ky qëndrim ka aktualizuar pyetjen nëse dy palët mund të negociojnë, të arrijnë marrëveshje e të zbatojnë zgjidhje krahas preambulës, e cila, siç është dëshmuar deri më tani, e bllokon normalizimin e plotë të marrëdhënieve, konstaton REL.

Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, në një intervistë për këtë medium ka thënë se “marrëdhëniet e Kosovës e të Serbisë nuk mund të normalizohen me Kushtetutën e tashme të Serbisë, e cila Kosovën e parasheh territor të vetin. Pos kushteve për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore, Serbia ka po ashtu kapitullin 35 që kërkon diçka të tillë. Në këtë kuptim, është me rëndësi arritja e një marrëveshjeje që do të ishte juridikisht e detyrueshme në fazat e ardhshme e për fillim, kemi kërkuar se është koha që Serbia, nga Kushtetuta e vet, pra nga preambula, ta heqë Kosovën”.

“Sa më shumë t’i afrohemi BE-së, kjo do të ndodhë, e ajo që tani është krejtësisht e sigurt, është se Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa njohjen e Kosovës”, citon rel të ketë thënë Tahiri.

Nga Beogradi, as kësaj radhe, nuk ka munguar retorika e ashpër.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka vlerësuar, në një deklaratë për RTS-në se “se Prishtina do të duhej që në Kushtetutën krahinore sa më parë ta fusë Serbinë, pasi kjo është mënyra e vetme që të jetë e përfaqësuar në bashkësinë ndërkombëtare”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: